Dënimi i Shullazit, ambasadorja gjermane: Detyrë për rrugën drejt BE-së

Pas ambasadës së ShBA në Tiranë, ka reaguar edhe ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Susanne Schütz, pas vendimit të gjykatës për të dënuar me 55 vite bandën ”Shullazi”. Ambasadorja e ka përshëndetur vendimin e gjykatës dhe nxit drejtësinë shqiptare të vijojë të veprojë kundër krimit të organizuar.

”E kam ndjekur me shumë vëmendje procesin ndaj pesë të pandehurve në çështjen Emiljano Shullazi dhe përshëndes faktin që tanimë është marrë një vendim në shkallë të parë. Vendimet e Gjykatës për Krimet e rënda të bëra të ditura ditën e djeshme tregojnë, që askush nuk qëndron mbi ligjin, sikundër nënvizojnë forcën e shtetit ligjor në Shqipëri.
Është e rëndësishme që drejtësia shqiptare të vazhdojë të veprojë kundër krimit të organizuar mbi bazën e ligjit dhe të drejtës. Përmirësimi i bilancit të sukseseve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është një nga detyrat qendrore të Shqipërisë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, shprehet Schütz.