Djali i kthen nënës unazën që e shiti për të ndjekur futbollin

 

Prindërit janë ata që sakrifikojnë shumë për fëmijët sido që të jenë apo të sillen ata. Një rast i tillë është ai i Klaudios, i cili ishte sot në “Ka një mesazh për ty” ku ftoi nënën e vet për t’i dhënë unazën e saj të martesës. Kjo pasi Tefta, nëna e tij e kishte hequr unazën që i biri ta shiste dhe të vazhdonte ëndrrën për futbollin vite më parë.

Klaudio ka treguar: “Unë kam dashur të regjistrohem në një ekip futbolli. Ju jam lutur shumë prindërve, pa e ditur që në futboll duhet të paguaje Shkova 16 vjeç dhe shikoja vetëm nga futbolli. Mbaj mend që lahesha tre herë në ditë dhe kishte shpenzime, pasi rrobat bëheshin pis. Nuk kishim as lavatriçe dhe mami i lante rrobat në një kazan. Isha shumë egoist dhe mendoja gjithmonë të realizoja ëndrrën time, jo se nuk e kisha merakun për nënë time. Në moshën 19-vjeçare duhet të largohesha nga qyteti ku unë jetoja. U ula në darkë me nënën time dhe i thashë se kam menduar të provoj një ekip tjetër dhe më duhet të rri atje 2-3 ditë ta provoja. I thashë se më duheshin lekë dhe nuk e dija që ne në shtëpi kishim para aq sa për të llogaritur muajin.

Zgjohem në mëngjes dhe gjej rrobat gati. Hoqi unazën e martesës dhe më tha ti mund të vazhdosh ëndrrën tënde. Nuk është se nuk u mërzita, por ika dhe vazhdova ëndrrën time. U tregova shume egoist. Nuk është se u mendova shumë, shkova dhe e shita. Edhe pse mërzitja më vazhdonte. Në atë moment nuk jam bërë aspak pishman, nuk e kam kuptuar. Kur kam ardhur në Tiranë, bashkë me vëllanë. Ka qenë shumë e vështirë. Për një vit rresht duhet të gatuaj, të laja dhe të shpëlahesha vetë, sepse ndryshe nuk kishte shpresë. Na dërgonte para babai dhe nëna nga shtëpia. Ishte një mësim nga jeta. Unaza është arsyeja që unë jam këtu sot. Dhe do ja kthej pas atë unazë dhe do doja shumë që mos ja hiqte kurrë nga dora.

Kam ardhur t’ja dhuroj dhe ta falënderoj me gjithë shpirt dhe zemër. Unë pasi mbarova ëndrrën e futbollit doja një motiv një arsye më shumë. Në jetën time erdhi bashkëshortja ime në një moment të vështirë për jetën time. E kam njohur para 4 vitesh atëherë kur unë nuk kisha asnjë gjë. Isha i vetëm në Tiranë, punoja kamerier për jetesë. Unë u largova dhe fillova punë në Memaliaj, ndërkohë që prindërit i kisha pa punë.  Prej dy vitesh nusja ime më thoshte gjithmonë kur do vish. Unë kam dhe vëllanë në Tiranë. Nëna dhe babai jeton me vëllanë e vogël. Ndërsa unë jetoj me nusen”.

Pasi rrëfeu historinë e tij, në ekran u shfaq nëna e Klaudios e cila kishte dëgjuar të gjithë rrëfimin. I biri i vuri unazën ndërsa u tregua shumë i prekur nga gjithë historia dhe e falënderoi të ëmën që nuk ishte lodhur kurrë.