Shpallet formula e Festivalit në RTSH, Inva Mula, drejtore artistike

Organizatorët e Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, prezantuan dje formulën e edicionit të 57- të. Përveç emrave të njohur të skenës, që i rikthehen këtij festivali, një vlerë e shtuar këtë herë është edhe drejtimi artistik, i cili i është besuar sopranos Inva Mula. “Ne jemi rritur me Festivalin.

Festivali ka pothuajse moshën time dhe pavarësisht drejtimit tim klasik në një moment të caktuar të jetës atë dashurinë e parë e kam me këngën”, tha Mula, dje në një konferencë për shtyp. Në krah të saj do të jenë vëllezërit Laço, regjisori Bledi Laço dhe skenaristi Pandi Laço. Duke shpjeguar formulën e zgjedhur për këtë vit, Mula u shpreh se qëllimi i këtij edicioni është të çojë këngën te publiku.

FB_IMG_1541005313061-660x330

“Objektiv për mendimin tim është që ta rikthejmë freskinë, entuziazmin e Festivalit të Këngës në Radio Televizion drejt një publiku, i cili ndoshta për arsye të shumta duhet ta kthejë vështrimin dhe të ketë dëshirën si dikur përpara televizionit, një javë përpara festave të jetë i koncentruar ta shikojë RTSHnë, ta ndjekë Festivalin dhe ndoshta të mërmërisë këngët më të bukura të tij”, tha Mula.

Organizatorët kanë menduar që këngët të prezantohen vetëm gjatë netëve të Festivalit. Janë 22 këngë të cilat do të vijnë në variantin për Festival natën e parë dhe natën e dytë në një tjetër variant, pa Orkestër Simfonike, por më pranë skenës së “Eurosong”- ut. “Kemi dy variante, variantin tradicional, klasik, që nuk duhet të humbë asnjëherë, se është vërtet shumë i bukur dhe ka një vulë historike, që duhet ta mbajmë fort dhe variantin ‘ndryshe’, që është ai performancës dhe i Eurosongut.

Në natën e tretë ne rivijmë me variantin e parë, por në këtë rast ne kemi mundësinë që publiku t’i dëgjojë këngët tre herë”, tha Mula. Sa i takon votimit, këngët do të gjykohen nga një juri profesionale dhe nga një juri të rinjsh, prej të cilëve do të kuptohen edhe shijet e brezit të ri. Festivali do të zhvillohet në datat 20,21, 22 dhjetor, në Pallatin e Kongreseve.