Kreditimi i qeverisë, rekord – Në 24% të PBB, bashkë me ndërmarrjet shtetërore

Kreditimi ndaj qeverisë dhe ndaj ndërmarrjeve shtetërore në vendin tonë fiksohet në 24% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, thotë një raport i publikuar së fundmi nga Banka Europiane e Investimeve. Raporti në fjalë analizon kreditimin në vendet kandidate për t`iu bashkuar unionit, por edhe në vendet që janë pjesë e fqinjësisë së mirë të Bashkimit Europian.

Norma në 24% bën që Shqipëria të jetë në vend të parë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor por edhe mbi mesataren e grupit të vendeve me të ardhura të mesme. Ndjekësi më i afërt i Shqipërisë në këtë indikator është Serbia me një normë në vetëm 19% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky indikator është rrjedhojë e diversifikimit të ulët të mundësive për investim.

Në raport thuhet gjithashtu se, kjo normë në vendin tonë është ndjeshëm më e ulët se në vendet e fqinjësisë së jugut. Një tjetër e dhënë që e vendos Shqipërinë krye të listimit është ajo e normës së kredive hipotekore, ku si kolateral është lënë një tokë. Kjo normë për Shqipërinë fiksohet në 81%, më e larta në Ballkanin Perëndimor.