Deputeti i PS: Pronarë të lotove sportive, edhe deputetë

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe deklaron se në Parlamentin e Shqipërisë kanë hyrë deputetë, njëherësh pronarë të pikave të lotove sportive.

Në një intervistë për “Kafein”, Braçe ka sqaruar se këta deputetë, emrat e të cilëve nuk ka pranuar t’i identifikojë për publikun, kanë qenë pronarë të pikave të basteve dhe lotove, deri në momentin që janë bërë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

“Politikanë që zotërojnë të tilla biznese, më herët ka patur, sot jo, pra, dua të them se ka patur deputetë të tillë në Parlament deri vitin që janë bërë pjesë e Kuvendit, më pas i kanë dorëzuar”, është shprehur deputeti Braçe.

Duke folur për ligjin e ri të lojërave të fatit, Braçe tha se përveç një ose dy kompanive, të tjerat drejtohen nga njerëz me precedentë të rëndë penal.

“Veç një ose dy kompanive, segmenti tjetër i lojërave të fatit, sidomos bastet sportive, kontrollohen nga njerëz me precedentë të rëndë penal. Kjo është arsyeja që kam kërkuar vetting për pronarët legal, është e vështirë të flasim për sipërmarrje, sepse këta nuk klasifikohen në rangun e sipërmarrësve, më vjen keq, pasi kanë probleme me ligjin edhe sot që flasim”, deklaroi Braçe.