Bllokohen punimet e TAP – Itali, kantieri nuk nis dot punën, qeveria me dy mendje

Hallka e fundit e gazsjellësit Trans Adriatik duket se do të jetë më problematikja. Në Itali, debati ka marrë përmasa të mëdha, pasi gjysma e qeverisë, ajo e “5 yjeve”, nuk e do, dhe gjysma tjetër, ajo e “Ligës së Veriut”, e do gazsjellësin. Kryeministri i vendit ndërkohë, Giuseppe Conte ende nuk ka mbajtur një qëndrim të prerë në lidhje me këtë çështje. Materialet për ndërtimin e tubacioneve të gazsjellësit në vend janë në terren, dhe anija që do kryejë punimet në det është e ankoruar, por puna ende nuk ka filluar, paçka se do të duhej të kishte filluar që prej ditës së Hënë.

Në zonën e Salentos, në Puglia, puna mbetet pezull. Por kësaj radhe nuk janë protestat që po e pengojnë procesin. Në Itali do të kalojnë vetëm 8 Kilometra të gazsjellësit. Kryeministri Conte ka thërritur në  godinën e qeverisë disa palë, që nga parlamentarët e `5 yjeve` që janë kundër projektit deri te ministrja për Jugun, Barbara Lezzi, kundërshtare e hapur e projektit. “5 yjet”, përpara se të vinin në pushtet premtuan se me të ndodhur diçka e tillë, punimet e TAP do të bllokoheshin përfundimisht, pasi bëhet fjalë sipas tyre, për një vepër të kotë.

Nga ana tjetër, Donald Trump vetëm 3 muaj më parë i bëri thirrje kryeministrit Conte që të vazhdonin me projektin pasi është i një rëndësie të veçantë. Faza në Itali është e fundit e projektit që do të kalojë nëpërmjet Shqipërisë dhe detit Adriatik për të transportuar naftën azere drejt Europës Perëndimore, me qëllimin për të ulur varësinë e gazit rus.

/SCAN