613 kg kokainë, Xhafaj: Çekaj nuk do ekstradohet nga Gjermania

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj ka deklaruar sot se Arbër Çekaj që është i akuzuar në Shqipëri për sasinë 613 kg kokainë që u kap në Durrës, nuk do të ekstradohet nga Gjermania, pasi atje po hetohet për një tjetër sasi të kapur.

”Ka një ndryshim në këtë gjë. Nuk është çështje ekstradimi më, por hetimi të përbashkët dhe mbetemi këtu se nuk më takon mua. U takon autoriteteve të hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të policisë shqiptare dhe zyrës përkatëse të policisë kriminale gjermane”,-tha Xhafaj.

Në lidhje me kapjen e kokainës u arrestuan shoferi i kamionit Armano Pezaku dhe menaxheri i magazinës Donaldo Lushaj, të cilët nuk e kanë pranuar se kanë patur dijeni për drogën. Në 28 shkurt në një kamion që transportonte banane u zbuluan 613 kilogramë kokainë të fshehura në një dysheme të dyfishtë të mjetit.

Në atë kohë kamioni u lejua të kalonte procedurat doganore, ndërsa ndërhyrja u realizua në magazinat e Çekajt. Ky i fundit mohoi të kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa është ndaluar më pas në shtetin gjerman.