Tritol banesës, gjyshja e Xhisielës: Jemi të kërcënuar

Një shpërthim eksplozivi është regjistruar mbrëmjen e vonë të së dielës, rreth 30 minuta para mesnate, në fshatin Larushk të Fushë Krujës. Sipas raportimit të policisë, një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur nga rruga drejt cepit të oborrit që lidh dy banesat e shtetasve Besim Muça dhe Ramazan Muça por fatmirësisht si pasojë e shpërthimit nuk ka pasur të lënduar, sikurse as dëme materiale.

Gjyshja e Xhisiela Malokut, thotë se ndihen të rrezikuar, edhe pse ajo thekson se nuk kanë dijeni se kush mund ta ketë kryer këtë veprim.

”Nuk dimë asnjë gjë, nuk ia vëmë dot fajin asnjë njeriu. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:00, u trembëm shumë. Na e hodhën eksplozivin në oborrin e shtëpisë, ndihemi të kërcënuar. Nuk kemi asnjë ide kush mund ta ketë hedhur, vetëm kur dëgjuam zhurmë. Dolëm të frikësuar përjashta dhe pamë se kishin hedhur lëndë plasëse”,-tha ajo për ”Ora News”.

Burime policore bëjne të ditur se në shtëpinë e gjyshit nga e ëma, në Larushk, jeton edhe Xhisiela. Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje për të hetuar mbi rrethanat, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që ka shoqëruar 9 persona për t’i marrë në pyetje.