Parlamenti pa opozitën, miratohet shtesa në buxhet për organet e drejtësisë

Edhe këtë të enjte opozita nuk u paraqit në Parlament, por ndryshe nga javët e tjera PD me aleatët e saj nuk zhvilluan as mbledhjen paralele. Shkak ka qenë mungesa e kreut demokrat Lulzim Basha.

Në seancë po ashtu mungoi dhe Rrahman Rraja, i akuzuar se kërcënoi oficerin e policisë në mbrojtje të të birit.

Pavarësisht kësaj mazhoranca ka miratuar me 72 vota pro tre projektvendimet për shtimin e buxhetit dhe stafit për organet e drejtësisë.

I vetmi që ka bërë opozitarin në sallën e kuvendit ishte Erjon Bracce. Shkak ka qenë Mosparaqitja e Ministrit të Financave në interpelancë prej 5 javësh

Ka qenë Kryetari i Kuvendit që e ka justifikuar Ministrin

Erjon Braçe: Prej 5 javësh i ka adresuar Kuvendit një kërkesë për interpelancë me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë. Sipas nenit 80 të Kushtetutës është e përcaktuar qartë, kryeministri dhe Ministri i thirrur në intepelancë nga një deputet apo grup deputetësh është i detyruar të përgjigjet brenda 3 javësh në sallën e Kuvendit. Kanë kaluar dy të enjte dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë ende nuk paraqitet në interpelancë me një çështje shumë konkrete dhe shumë të qartë për të dhe mbi të gjitha me interes publik për qytetarët.

E përsëris është neni 80 i Kushtetutës, nuk është pika e 80 e dëshirave të mia.Për këtë interpelancë unë dhe Ministri i Financave dhe Ekonomisë kemi 6 muaj që komunikojmë me shkresa zyrtarisht.

Nëse unë e kam seriozisht një çështje të caktuar më lejoni tu them që përgjigjet që kam marrë në cilësinë e deputetit nga germa e parë tek e fundit janë tallje Luli me interesin publik dhe interesin tim si deputet i kuvendit.

Bëhet fjalë për ligjshmërinë fiskale të një institucioni të caktuar, bëhet fjalë për barazinë fiskale të atij institucioni që është në thelb të pabarazisë që konsumohet përditë në këtë vend. Ju lutem shumë që javën e ardhshme të planifikohet inteperlanca ime me Ministrin e Financave dhe Ekonomisë për çështjen e ligjshmërisë fiskale dhe barazisë fiskale në FSHF-në për individë dhe organizata si dhe detyrime që përcakton ligji për sportin që duhet të ishin arkëtuar në buxhetin e shtetit këtu e 10 vite më përpara.

Ruçi: Keni të drejtë, ka kaluar tre javëshi që përcakton ajo. Administrata e Kuvendit ka komunikuar me Ministrin. E dini se Ministri një javë ka qenë jashtë shtetit për të ndjekur problemet e Eurobondit. Është kthyer mbrëmë, është komunikuar jashtë shtetit, ka kërkuar një kohë dhe me siguri do të jetë disponibël javën tjetër.

Përveç mungesë së retorikës politikë në Parlament, mungesa e opozitës vijon të mbajë të bllokuar projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe dhe p/ligjin për Kodin Rrugor.