Aleatët e Bashës, Shehu e Mediu kundër bojkotit të zgjedhjeve

Në fillim ish-kryeministri Sali Berisha dhe më pas Lulzim Basha, thonë se opozita nuk mund të hyjë në zgjedhje me Edi Ramën kryeministër. Me idenë e largimit të Ramës pajtohen edhe aleatët e Bashës por nuk janë dakord me idenë e bojkotit të zgjedhjeve.

Dashamir Shehi, kreu i LZHK-së thotë se vota është e vetmja mënyrë për të ndryshuar realitetin aktual politik.

“Opozita duhet të hynë në zgjedhje, kjo nuk diskutohet. Pushteti në Shqipëri edhe kur shkëmbëhet do shkëmbëhet nëpërmjet votës. Kush shtyn me idenë që këtu të nxisim rrëmyja, protesta me armë e kështu shprehish, këto janë të gjitha debate të kota, të panevojshme që e dëmtojnë opozitën”- tha Shehi.

Mbi nevojën e procesit zgjedhor shprehet edhe kreu i republikanëve.

“Nuk ka rrugë tjetër për të ndryshuar realitetin përveç se përmes procesit zgjedhor. Çështja është që shqiptarët kanë nevojë të kenë zgjedhje të lira, të drejta dhe të ndershme ku qytetarët vendosin kush drejton nivelin lokal apo nivelin qendror. Rama ka qenë manipulator me zgjedhjet. Sa kohë do të jetë Rama në pushtet nuk mund ta kemi këtë klim për zgjedhje të lira dhe të ndershme” – u shpreh Fatmir Mediu.

Të pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje të re, duket se ka ndarje mes dy aleatëve të PD-së. Dashamir Shehi është i prerë në përgjigjen e tij:

“Pas historisë së hidhur që patëm me një marrëveshje, një marrëveshje naïve që vunë 4 ministra dhe 10 drejtorë që nuk bënë asnjë punë, se edhe nuk mund të bënin edhe sikur të ishin burra të zotë, ishte një gabim i rëndë i zotit Basha. Unë mendoj që nuk do ta përsërisim” – tha Dashamir Shehi.

Ndërsa Mediu është pro një marrëveshjeje e kësaj natyre:

“Nëse një marrëveshje synon për të mbulur këtë realitet të papranueshëm apo për të krijuar raporte të cilat janë preferenciale për individë të ndryshëm, unë mendoj se këto marrëveshje janë të dëmshme. Çdo marrëveshje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme është padyshim një marrëveshje e mirëpritur”– deklaroi Mediu.

Për largimin e Ramës nga posti kryeministror Dashamir Shehi e sheh vetëm këtë rrugë:

“Automatikë ne nuk përdorim, kështu që qytetarët shqiptarë, nëse ky i ka mërzit duhet të dalin dhe të reagojnë ndaj kësaj qeverie. Jam i sigurt që ditën që do reagohet seriozisht me mijëra njerëz në shesh, Rama dhe banda e tij ikin”- u shpreh kreu i LZHK.

Ndërsa kreu i republikanëve kërkon stabilitet brenda radhëve opozitare.

“Opozita nuk mund të jetë një mundësi për të hipur dhe zbritur secili sipas interest të momentit por duhet të jetë një opozitë e qendrueshme për interesa të qytetarëve për të ndërtuar shtetet dhe jo për të marrë pushtet”- theksoi Fatmir Mediu.

/Report Tv