Gega: Tirana nuk na tremb, derbet luhen dhe më pas fitohen

Skënder Gega u shfaq i qetë në konferencën për shtyp dy ditë para derbit Tirana-Partizani. Trajneri 55-vjeçar i të kuqve deklaroi se kjo ndeshje nuk do të jetë vendimtare për objektivat final të skuadrës së tij.

A do të jetë derbi pikë referimi për vazhdimësinë e sezonit?

Derbi ka specifikën e vet, ka elementët e tij pozitivë. Nëse e kalojmë mire, do të jetë një rritje besimi. Vijmë nga një moment i mirë, por jemi në fillim. Nuk jemi aty ku duhet, por kemi nevojë për rritje.

Çfarë emocionesh ju ofron derbi në rolin e trajnerit?

Janë emocione të mëdha, sepse ka përgjegjësi më të mëdha. I bën vetë zgjidhjet, duhet ta përgatitësh ndeshjen në detaje. Presioni është, por kur je futbollist emocionet shkarkohen.

A do të ketë ndryshime në formacion?

Nuk ka sekrete, kam 25 futbollistë, kam aktivizuar edhe lojtarë të rinj. Konkurrenca është rritur. Kam një dilemë shumë të vogël, por do ta zgjidh deri të premten.

Preferoni lojën sulmuese për të kënaqur tifozët, apo pikët?

Tifozët janë lojtari i 12-të, në ndeshjen me Flamurtarin na mbështetën. Ne duhet të luajmë pa emocione. Do të mendojmë t’i bëjmë të dyja pjesët, sulm dhe mbrojtje.

Si është forma e Rubin Hebajt?

Rubini ka luajtur dje 90 minuta dhe nuk ka shfaqur shqetësime. Po mundohemi ta mbajmë larg dëmtimeve, do të jetë i gatshëm.

Tirana nuk e fiton derbin prej një kohe të gjatë…

Kam ardhur që 18 vjeç te Partizani. Deri tani kam gjetur ambient të mirë. Patjetër që historia është e madhe. Është një lloji ngarkese, qëllimi ynë është të arrijmë objektivat tona, derbi është vetëm 1 ndeshje.

Si një ish në fushë, keni shënuar një gol të bukur në një derbi…

Në vitin 1987, ka përfunduar 3-2. Historia kalon, sot jam 55 vjeç, jam trajner dhe më intereson më shumë kjo.

Derbi luhet apo fitohet?

Derbi luhet, pastaj fitohet. Duhet të luajmë për 90 minuta dhe të mos jemi emocionalë.

Tirana e ka kaluar ngërçin e fillimit, ju tremb kjo ecuri e rivalëve?

Nuk na tremb, por jemi të ndërgjegjshëm. E pashë kundër Skënderbeut dhe në Gjirokastër. Do ta studiojmë akoma deri të premten.

Më mirë të fitosh derbin apo të arrish objektivat?

Me gjithë respektin që kam për tifozët dhe dëshirës për ta fituar, objektivi është një projekt që duhet ta realizojmë patjetër. Tifozët duhet ta shikojnë që është një projekt afatgjatë, serioz. Ndeshjen më të mirë të karrierës e kam bërë kundër vëllait tim dhe kam dashur ta fitoj.

Sa ka ndryshuar atmosfera nga koha kur ju ishit protagonist në fushë?

Nuk ka patur drita, fishekzjarre, kanë qenë të ndaluara parullat. Rrini dhe diskutonin edhe disa javë pas derbit.

A mendoni se Partizani është më lart se Tirana?

Do t’i shohim gjërat javë pas jave, ideja për të qenë në vendet e para po përmirësohet. Ekipi po sillet mirë, brenda dhe jashtë fushës. U jam mirënjohës lojtarëve që po reagojnë siç duhet.

Keni në përbërje lojtarë që luajnë për herë të parë…

E kanë përgjegjësinë, e njohin derbin. Të japin maksimumin dhe duhet të funksionojë si familje.