Tirana dhe Partizani fitojnë me “poker” në Kupë para derbit të së premtes

3 ditë para derbit të kryeqytetit, Tirana dhe Partizani kanë zhvilluar provat gjenerale në ndeshjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë, duke regjistruar që të dyja fitore me rezultatin e thellë 4-0. Bardheblutë e Ze Marias, pas fitores në ndeshjen e parë ndaj Ilirisë në Fushë-Krujë me rezultatin 1-4, sot kanë arritur të shënojnë sërish 4 gola, por këtë herë të mos pësojnë asnjë. Sentamu ka qenë në një formë mjaft të mirë, duke shënuar tre herë në pjesën e parë, ndërsa sulmuesi i rikthyer nga dëmtimi, Ngoo vulosi suksesin 4-0 dhe kualifikimin për më tej në Kupën e Shqipërisë.

Nga ana tjetër, pas fitores minimale 0-1 në ndeshjen e parë në Pukë, sot Partizani arriti të shënojë plot 4 herë në portën e Tërbunit, ku protagonist ishte sulmuesi anësor shkodran Eraldo Çinari me një dopietë. Golat e tjerë për të kuqtë u shënuan nga shkodrani tjetër Rubin Hebaj dhe sulmuesi Jurgen Bardhi, ndërsa trajneri Skënder Gega mori një tjetër sinjal pozitiv nga skuadra e tij, në prag të derbit të shumëpritur të kryeqytetit. Tirana-Partizani do të luhet të premten në mbrëmje, në orën 19:45.