Si krijojmë muzikë, pa pasur një kritikë? E ardhmja e krijimtarisë muzikore, sipas Nestor Krajës

Kritika muzikore sot po lejon të krijohet pafund nga kushdo dhe çfarëdo. Por për Nestor Krajën, kompozitorin e njohur shqiptar dhe pedagogun në Universitetin e Arteve, kritika duhet riparë më vëmendje. Për këtë arsye, Kraja, në një moment të caktuar vendosi të “çelte” një faqe online, e cila do të realizonte lançimin e eventeve më të rëndësishme kulturore, por edhe artikuj që, në thelb të tyre ngrenë kritika profesionale mbi evente të caktuara. Kritika muzikore, aq e munguar, duket sikur po rishfaqet në skenë, së bashku me performancat. Faqja ka rreth një vit që është bërë publike dhe mban në brendësi të saj, 3600 artikuj online, që janë informacione, kritika, analiza veprash dhe koncertesh, shkrime historike, etj. Vetë kompozitori tregon se, në këtë faqe jepen informacionet e nevojshme mbi çdo lloj koncerti dhe në hapësira të tjera jepet mendimi i stafit: si ishte dhe si duhet të jetë një mbrëmje muzikore. Me tej, prej tij, theksohet se “kur flitet për kritikën që mungon, në çdo shkrim synohet të trajtohet mungesa e saj”.

Prej vitesh diskutohet zbehja e kritikës në fushën e muzikës. Përse kjo dëshirë për t’u larguar nga notat e kritikës profesionale ?

Kritika nuk është sharje, por stimul dhe dhënie e drejtimit të së ardhmes e asaj që duhet bërë. Tek ne nuk e kanë kuptuar si të tillë. Kritika nuk është për t’i ndërruar mendjen një drejtori të një institucioni. Ne kemi bërë kritikë, për shembull, që është shumë mirë që, “TOB”-i, me aktivitetin e tij është shtrirë dhe në rrethe, por duhet të ruhen disa standarde. Ato standarde që janë në skenën e Tiranës duhet të ruhen dhe në rrethe, kur shkojnë artistët, dhe jo të bëhen gjëra të reduktuara. Ne themi se kjo vlen për këtë arsye dhe kjo nuk vlen për arsyen tjetër, por gjithmonë të jenë të argumentuara ato që ne themi. Para disa kohësh, unë bëra një shkrim për një koncert të një violinisti shumë të mirë amerikan, një violinisteje nga Kosova dhe të një violonçelisti nga Shqipëria. Tregova që koncerti ishte pozitiv, por kishte dhe mangësitë e tij, dhe këto i argumentova. Në këtë sens jam i kënaqur, por do ishte shumë mirë që njerëzit të shkruajnë kritikë.

A mendoni se muzika që po krijohet në Shqipëri këto kohë e ka mëse të nevojshme kritikën, si një mënyrë për të mos abuzuar me të bukurën?

Mendoj se muzika shqiptare ka nevojë për kritikë; nuk mund të ecë pa kritikën dhe pa orientimin teorik të atyre njerëzve të mençur që mund të thonë diçka. Ata, në njëfarë mënyre, duhet të tregojnë rrugën e gjerë ku ecën arti europian, ndaj dhe kjo faqe u mendua si një faqe kritike dhe analitike, mbi atë se çka ndodh në art. Ideja është të thuhet hapur dhe me kurajo, ajo që ne zakonisht e themi nëpër kafe, pasi e thënë në këtë mënyrë është shumë më mirë. Ai është një informacion i rëndësishëm, që krijuesi duhet të marrë; pra dhe mendimin e publikut. Të thyejmë ato mënyra, me të cilat kemi funksionuar deri më tani, duke thënë lëvdata të pavenda. Duhet të thuhet e vërteta, e argumentuar.

Në Shqipëri, e vërteta thuhet shumë pak. Sa e lehtë është të realizohet kritika?

Unë kuptoj që, në Shqipëri, të bësh, kritikë konsiderohet një lloj “ofendimi”, duke i bërë njerëzit të pezmatohen, sespe nuk janë mësuar. Ne kemi rreth 20 vite që vetëm lavdërojmë dhe nuk i themi gjërat ashtu siç duhet, por duhet të ketë një fillim dhe dikush duhet ta bëjë këtë. Unë, realisht, e shoh me shumë vështirësi këtë proces, pasi vë re, të mos mbështetem nga shumë njerëz të tjerë, ndaj dhe kjo faqe u hap me një synim për të bashkëvepruar të gjithë.

Si ndodh përballja me artistin dhe si mirëpritet kritika që bën faqja?

Unë do t’i quaja pseudoartistë, pasi përballja me ta nuk është pozitive. Unë jam detyruar të përballem me shumë momente të tilla dhe mendoj se kjo situatë është e mirë për muzikën. Prirem t’i shoh gjërat në mënyrë idealiste dhe vetëm kështu mund të ecet. Nëse do të vazhdojmë të gënjejmë njëri-tjetrin, kurrë nuk ka për të ecur arti në Shqipëri. Unë shoh që klima e artit në Kosovë është më e zhvilluar. Ata bëjnë festivale shumë të mira; janë më të hapur për të pranuar kritika dhe sigurisht, për të bërë më të mirën.

Çfarë po ndodh në Kosovë?

Atje japin pesë çmime, që bëhen shtysë që kompozitorët të shkruajnë. Tek ne, kjo nuk ndodh, edhe pse në Kosovë ka vite që zhvillohet një konkurs i tillë. Në Shqipëri po bëhet një konkurs për vepër skenike, në kuadër të “Vitit të Skënderbeut”, e që këtu është futur dhe baleti, opera dhe muzikali. Ky i fundit nuk është një gjini që mund të jepet në këtë rast, sidomos nën siglën e “Vitit të Skënderbeut.” Ky që ka bërë ministria është një eksperiment, që duhet parë se si do të vijojë më tej.

A mund të rrisë kritika e mirëfilltë, çdo artist?

Unë, në mendjen time kam vetëm një zgjidhje: stimulimin e të rinjve. Ecja e tyre në këtë rrugë është e vetmja mënyrë që ne mund të ecim përpara; pra, duke i edukuar, që të jenë më mendjehapur dhe më profesionistë, në mënyrë që të ecin. Këto janë procese që nuk realizohen për një vit, apo për dy, por janë procese të gjata në kohë, të cilat janë pjesë e kulturës dhe kultura është një shtresim shumë serioz e i ngadaltë në popull, por atëherë kur vendoset, ajo krijon një të mirë të madhe, për të gjithë. Popujt e mëdhenj dhe të kulturuar mbështeten te muzika e tyre dhe edukojnë njerëzit e tyre me muzikën vendase. Ne, ndërkohë, kemi hapur dyert nga të gjitha anët. Te ne mund të vijnë këngë arabe, argjentinase, spanjolle, por këngë shqiptare, rrallë shumë. Kjo është e dëmshme! Edhe në lokale ka vetëm muzikë të huaj. Normalisht, ajo duhet të jetë 90 për qind shqiptare, sepse ne kemi krijimtari muzikore. Nëse kjo zgjidhet, do të ishte me shumë vlerë për ne, sepse do të kishim më shumë fizionomi dhe përballë turistëve. Nuk janë gjëra që bëhen vetëm me ligj, por dhe me kulturë. Ne na duket sikur, po të flasim anglisht, jemi të kulturuar dhe po të flasim në shqip nuk jemi! Titujt që propagandon “TOB”-i janë në anglisht; pse nuk janë në shqip? Kudo në botë vlerësojnë muzikën e tyre, por ne jemi të hapur dhe të “shqyer”, në fushën e kulturës.

Nga Jolanda Shuaipi/SCAN Magazine