U “degdis” në Pogradec nga Marku, Hajdarmataj firmosi sekuestron e pasurive të Habilajve

Sekuestrimi i pasurisë së grupit Habilaj u firmos nga grupi i prokurorëve që drejtoheshin nga Besim Hajdarmataj, vetëm pak orë para se këtij të fundit t’i komunikohej urdhëri i transferimit për në Prokurorinë e Pogradecit.

Në kërkesën e prokurorëve, e cila ka marrë viston e gjykatës për të bllokuar apartamente, troje garazhde dhe automjete të vëllezërve Moisi, Artan dhe Florian Habilaj.

Pasuritë e sekuestruara janë të luajtshme dhe të paluajtshme, kryesisht apartamente, makina dhe prona të tjera që kapin vlerën e milionë eurove.

Sipas njoftimit të Prokurorisë pasuritë janë në emër të të akuzuarve të dosjes Habilaj, të cilët gjykohen për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në total janë sekuestruar 8 apartamente, 5 ndërtesa, rreth 30 garazhde, 10 dyqane dhe 5 automjete. të gjitha në Vlorë që në total kapin vlerën e disa miliona eurove. Të gjitha këto pasuri kapin vlerën e 545 000 eurove dhe 40 130 000 lekë.

Kjo masë sekuestro vjen një vit pasi Prokuroria për Krime të Rënda regjistroi procedimin penal për veprat trafikim i narkotikëve i kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë ose i të zgjedhurve vendorë”, ku në hetim është edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.

“Regjistrimi i procedimit të mësipërm u bë mbi bazën e të dhënave të përftuara nga media, në lidhje me faktin e arrestimit, nga autoritetet italiane të drejtësisë, të shtetasit Moisi Habilaj, si pjesë e një grupi kriminal që ushtronte aktivitet në fushën e trafikimit të narkotikëve. Sipas informacionit referues, që parapriu regjistrimin e procedimit, rezultoi se arrestimi i shtetasit Moisi Habilaj u krye në kuadër të hetimit në vazhdimësi, nga autoriteti i drejtësisë italiane, në lidhje më faktin e sekuestrimit të sasisë prej 3.5 tonë lëndësh narkotike”. thuhet në njoftimin e Prokurorisë.