Opozita kallëzon Markun: Shpërbleu Prokurorët e Tahirit dhe Shullazit (Dokumenti)

Dosja “Shullazi”, ka shkaktuar një kaos të vërtetë brenda ambiente të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Grupet parlamentare të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, kanë depozituar kallëzim penal ndaj Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Opozita e akuzon atë për veprën penale të “Shpërdorimit të Detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. PD dhe LSI i drejtohen Prokurorisë së Tiranës, duke theksuar se “lëvizjet kaotike dhe me urdhër politik të prokurorëve dhe drejtuesve të prokurorisë, pa asnjë plan të mirëfilltë organizimi dhe që kanë sjell dështimin e të gjitha çështjeve me ndjeshmëri të lartë publike, janë veprime të kundërligjshme, që prekin drejtpërdrejtë interesin e shtetit dhe të shtetasve”.

Opozita akuzon kryeprokuroren Arta Marku se ka vendosur të shpërbëjë tërësisht grupin e prokurorëve të çështjes penale ndaj ish-ministrit Tahiri, duke ndërhyrë në mënyrë aktive për dështimin e hetimeve ndaj tij.