Aguero zgjat “martesën” me City-in deri në vitin 2021

Sergio Aguero ka rinovuar kontratën me Manchester City-in deri në vitin 2021. Sipas Daily Mail, argjentinasi do të përfitojë 220.000 sterlina në javë, 10 milionë sterlina më shumë se në kontratën e vjetër.

Një sinjal i qartë se kampionët e Anglisë besojnë verbërisht tek një sulmues i cili ka një mesatare të shkëlqyer, duke justifikuar plotësisht 45 milionë eurot paguar Atletico Madridit në vitin 2011.

Që atëherë, 7 sezone si titullar, thuajse gjithnjë mbi 20 gola sezonalë në Premier League dhe asnjëherë problematik për trajnerët dhe klubin.

“Jam i lumtur për rinovimin e kontratës. Ideja ime ishte të qëndroja këtu për 10 vite. Kam 7 vite në Angli, kontrata më mbaron kur të mbush 10 vjet, kjo ishte arsyeja kryesore pse firmosa. Jam shumë i lumtur, sepse më kanë trajtuar shumë mirë që prej ditës së parë këtu. Jam shumë i lumtur me gjithçka ka lidhje me klubin, shokët e skuadrës, stafin dhe ekipin drejtues”, deklaroi Aguero.