Mezani prezantohet te Luftëtari: Refuzova disa oferta, loja e këtyre djemve më jep shpresë

Gentian Mezani nisi sot një rrugëtim të ri në karrierën e tij duke marrë drejtimin e skuadrës së Luftëtarit. Një zgjedhje e ardhur në një moment të vështirë për gjirokastritët, që deshën t’i besonin një emri me përvojë në Superiore këto vitet e fundit.

“Dua të falënderoj presidentin për besimin. Uroj të mos i zhgënjej njerëzit këtu. Erdha me një dëshirë të madhe, pasi kam pasur edhe oferta të tjera. Loja e këtyre djemve më jep shpresë, pasi në këto 4 ndeshje kanë prodhuar futboll. Edhe mbështetja që kam marrë nga drejtuesit më jep forcë.

Nuk dua të flas për mbijetesën. Edhe Laçin me Flamurtarin i kam marrë në të njëjtën situatë. Kemi ende shumë ndeshje për të bërë. Edhe ekipet e tjera nuk kanë shumë diferenca. Objektiv për mua është të marrim rezultat pozitiv në çdo ndeshje.”

Sfida me Teutën? Luajmë në fushën tonë. Humbja nuk do të jetë  e mirëpritur. Çdo gjë duhet të jetë pozitive. Do të futemi për të fituar. Kam besim te këta djem. Janë siç kanë emrin, pra ‘luftëtarë’ dhe do luftojnë për të marrë fitoren”, deklaroi Mezani.