Më pak të ardhura nga vendorët – Ndikon performanca e dobët e taksës mbi pasuritë e paluajtshme

Pushteti vendor nuk ka mundur të realizojë më shumë të ardhura nga taksat dhe tarifat edhe përgjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, ku bie në sy performanca e dobët e të ardhurave nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme. Sipas të dhënave të publikuara në financatvendore.al, në fund të gjashtëmujorit, të ardhurat nga burimet e veta vendore regjistruan një vlerë në terma nominalë prej rreth 9 miliard lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të hyrat buxhetore nga burimet e veta rezultojnë rreth 2.5 miliard lekë më të ulëta ose në rënie me rreth 21.5%.

Kjo ecuri është ndikuar nga performanca e dobët e të ardhurave nga taksat vendore, të cilat regjistruan një nivel prej rreth 4.7 miliard lekë, në ulje me rreth 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në të kundërt, të ardhurat nga tarifat vendore ndoqën ecuri pozitive, theksohet në raport. Ndërkohë, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 1.7 miliardë lekë, në rënie me 36.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.