Zbardhet vrasja e Marvit për një karikues: Shpallet në kërkim një tjetër i ri

Hetimet për vrasjen e Marvi Mihalit ka marrë një tjetër rrjedhë.

Prokuroria e Tiranës thotë se nuk kanë qenë katër persona që e kanë sulmuar viktimën, por pesë.

Personi i pestë ende nuk dihet se cili është, por Prokuroria thotë se ka dëshmitarë që do të dëshmojnë për të dhe se ai ka qenë i armatosur me armë të ftohtë.

Bëhet fjalë për ngjarjen tragjike që i mori jetën Marvi Mihalit, si pasojë e një konflikti për një karikues telefoni.

Hetimet dhe ngjarja

Historia e konfliktit nisi pas shitjes së një celulari pa karikues nga shtetasi Armend Haxhiu te Dejvi Bitraj.

Ky i fundit i kishte shkuar disa herë Haxhiut t’i merrte karikuesin, por nuk e kishte zgjidhur konfliktin.

Mbrëmjen e 1 gushtit 2017, Dejvi Bitraj ka mbledhur një grupin e tij, të cilët janë vendosur në pozicione të posaçme në vendin ku ndodhi vrasja.

Ai më parë kishte komunikuar me Haxhiun dhe kishin vendosur të konfliktoheshin. Nga ana tjetër, edhe Armend Haxhiu kishte marrë me vete disa persona, ndër ta edhe Marvi Mihalin.

Sipas prokurorit, i cili bazuar në pamjet e kamerave të sigurisë sekuestruar në bizneset pranë vendit të ngjarjes, thotë se, si fillim, sherri nisi midis Haxhiut dhe Dejvi Bitrajt, ndërsa më pas grupi i Bitrajt qëlloi edhe viktimën.

Prokurori Tako tha se grupi përbëhej nga pesë persona dhe të paktën dy prej tyre ishin të armatosur me mjete të ftohta.

Si prova gjatë shqyrtimit gjyqësor do të shfaqen pamjet e kamerave të sigurisë, si dhe do të pyeten 10 dëshmitarë të kërkuar nga Prokuroria. Nga hetimet,- tha prokurori,- rezulton se grupi përbëhej nga 5 persona dhe këtë e konfirmon dëshmia e një personi, i cili do të thirret para gjykatës.

Gjatë seancës së djeshme, fjalën e mori edhe avokati i viktimave, prindërve të Marvi Mihalit, Pavllo dhe Mira Mihali, Saimir Vishaj, i cili kërkoi disa dëshmitarë që do të pyeten në seancat në vazhdim, shkruan Panorama.

Gjithashtu, si dëshmitarë kërkoi edhe dy prindërit e të ndjerit, që dëshminë e tyre do ta japin në javët në vazhdim. Ndërkohë, seanca e djeshme u shty me kërkesë të mbrojtësve, për të përgatitur edhe ata listën e provave që do të paraqesin në gjykatë.