Klevi nuk shkon në shkollë, mbetet në burg

Gjykata e Krimeve të Rënda, ka rrëzuar kërkesën për lirim të Klevi Likës, një nga katër të arrestuarit për 3.4 mln eurot e sekuestruar në automjetet ”Toyota Yaris” në portin e Durrësit, më 23 qershor të këtij viti.

21-vjeçari ka kërkuar lirinë nga trupi gjykues me arsyetimin se dëshiron të vazhdojë shkollën. Kërkesa për ndryshimin e masës nuk është vetë nga i riu por është bërë nga avokati i tij Saimir Visha. Nga ana e saj, Prokuroria e Krimeve të Rënda kundërshton lirimin pasi po pret përgjigje nga Belgjika, Anglia dhe Italia për origjinën e parave.

Në këtë çështje, emri i Klevis Likës, përmendet si shoqëruesi i ngarkesës së automjeteve ku u gjetën dhe sekuestruan 3.4 mln euro. Në lidhje me ngjarjen policia arrestoi në flagrancë shtetasit; Agim Çeka, 61-vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës; Edi Lika (Cani), 41-vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë; i biri Klevis Lika, 21-vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë dhe Alban Mollaymeri, 40-vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Kushërinjtë e shpallur në kërkim, Alfred dhe Elvis Vladi, sipas Policisë janë porositës së ngarkesës me sasinë rekord të eurove, që u zbuluan në portin e Durrësit. Të dy rezultojnë pronarë biznesesh në Tiranë por njëri prej tyre, Alfred Vladi, ka në pronësi edhe dy kompani që merren me dhënien e automjeteve me qira.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letërporosi në 3 shtete, në lidhje me të arrestuarit për çështjen e gjetjes së 3.4 milionë eurove në dy mjete “Toyota Yaris”. Letërporositë janë dërguar në Gjermani, Belgjikë dhe Angli, nga ku pritet të merret informacion i detajuar, në lidhje me aktivitetin e katër shtetasve që mbahen të arrestuar për këtë çështje. Burimet raportojnë se letërporosia në Angli është dërguar për Edi Likën, pasi dyshohet se ka të dhëna se është marrë me trafik kokaine. Dyshohet se këto para burojnë nga trafikimi i lëndëve narkotike dhe po futeshin në të zezë në Shqipëri, ndërsa përveç 4 të arrestuarve, janë shpallur në kërkim edhe dy shtetas të tjerë, që mund të jenë pronarët e vërtetë të parave.

Kjo çështje trubulloi edhe politikën, ku në sesionin e shkuar parlamentar, akuzat opozitë-pozitë nuk munguan. Klevi Lika është djali i pronarit të shoqërisë së transportit, Edi Lika, i cili solli nga Gjermania automjetet “Toyota” në një Bizark, në njërën prej të cilave u sekuestruan edhe 3.4 mln eurot origjina e të cilave vijon të mbetet mister.