PS plotëson kushtin e BE për ligjin e teatrit, mazhoranca voton pro hapjes së garës

Kuvendi i hapi sot rrugë miratimit të ligjit për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Komisioni për Veprimtarinë Prodhuese shqyrtoi dhe miratoi ndryshimet në ligj me anë të të cilave plotësohet edhe kushti i BE dhe hapja e garës.
“Kemi arritur në konkluzionin e pranimit të dekretit të presidentit. Nuk është rasti i parë që Kuvendi pranon dekretin e presidentit. Kemi rastin kur është kërkuar të rrëzohet dhe kemi rastin kur me argumente është pranuar. Kemi ndërmarrë edhe disa diskutime me individë të ndryshëm apo disa sugjerime që kanë ardhur në vëmendjen e komisionit, psh afatet për një thirrje të hapur. Në diskutime me grupe të ndryshme kemi arritur sot në një draft propozim që do ta shqyrtojmë në komision në lidhje me ndryshimet në ligj”, tha Eduard Shalsi në mbledhjen e komisionit të Veprimtarisë Prodhuese.
Shalsi bëri të ditur se këto amendime i janë dërguar për mendim edhe Autoritetit të Konkurrencës për t’u shprehur për këtë çështje. Opozita nuk ka qenë dakord me dekretin e Presidentit, Ilir Meta. Albana Vokshi përsëriti qëndrimin e opozitës për ligjin për Teatrin dhe deklaroi se nuk mund të bëhet arnime në ligj.