Kushtet e këqija në shkolla, Nikolla: Faji i pushtetit vendor

480 mijë nxënës u ulën sot në bankat e shkollës, nga të cilët rreth 32 mijë fëmijë shkuan për herë të parë në shkollë, duke nisur klasën e parë. E ftuar në ”Top Talk”, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, bëri me fajin pushtetin vendor për kushtet e këqija për shkollat në rrethe.

”Vështirësitë ka si në rrethe ashtu edhe në Tiranë. E rëndësishme është që ne të flasim dhe t’i zgjidhim problemet. Kam shkelur në të gjitha qarqet e vendit. Është standard i imi që të shkojë në çdo shkollë. Nëse do t’i kishim të gjitha shkollat si “Kosova” nuk do të ishim kështu si jemi. Ne kemi bërë maksimumin e mundshëm krahasuar me situatën që kemi gjetur. Opozita është i lirë të zgjedhë të bazohet te baltosja apo te shifrat. Edhe sot që flasim janë 26 shkolla të reja të standardeve europiane, të rikostruktuara. Infrastruktura e re do të kthehej në zero nëse do të vijonim me ato tekste që kishim, me gabime dhe të papërshtatshme për moshën e fëmijëve. Unë e drejtoj gishtin nga vetja për problemet. Bashkëpunimi me pushtetin vendor nuk ka qenë i duhuri në disa rrethe. Angazhimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës ka qenë i duhuri, por nuk ka ndodhur kështu në çdo zonë”, u shpreh ministrja.