U ekzekutua në Spanjë, gjendet makina e vrasësve të shqiptarit

Të tjera detaje dalin në dritë nga vrasja e shqiptarit Fatmir A., në Spanjë pak ditë më parë. Ngjarja në fjalë ndodhi më 5 shtator në zonën e Reus në provincën Tarragona të Katalonjës. Media spanjolle ‘Diari de Tarragona’ raporton se policia ka gjetur dje makinën dhe armën e krimit që mendohet se u përdorën për eliminimin e shqiptarit.

Mësohet se mjeti, nga i cili u qëllua me armë ndaj shqiptarit, u gjet i djegur poshtë një ure disa kilometra larg vendit ku ndodhi vrasja, ndërsa brenda saj kishte një pistoletë. Kjo e fundit është dërguar në laboratorin e kriminalistikës për t’iu nënshtruar ekspertizës balistike për të vërtetuar nëse është përdorur në vrasjen e shqiptarit.

Nga të dhënat e policisë dyshohet se 43-vjeçari është vrarë për hakmarrje, pasi ai kishte vrarë në vitin 2008 një 26-vjeçar shqiptar, shtetasin Alfons C. Motiv i krimit dyshohet se ka qenë prishja e pazareve të drogës. Aktualisht policia po heton rreth zbardhjes së ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të krimit. /BW