Hetimi i politikanëve, Hysi: Kemi SPAK dhe BKH, opozita luan bllofin

Deputetja e PS-së shprehet se amendimi kushtetues është i panevojshëm pasi kemi BKH dhe SPAK. Deputetja e mazhorancës i bëri thirrje opozitës që të mos bojkotojë jetën parlamentare, por të japë kontributin e saj për të zgjidhur ngërçin në të cilin është futur sistemi i drejtësisë.

Propozimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për ndryshime në Kushtetutë për të bërë vettingun në politikë, për Partinë Socialiste është një amendim absurd. Dhe nuk duket se e kaq keq sepse duhen krijuar organet kushtetuese si BKH dhe SPAK në fillim që t’ju çosh “mishin” e gatshëm të politikanëve të korruptuar dhe të lidhur me krimin.

Kryetari i grupit parlamentar Taulant Balla, si dhe deputetja e PS-së Vasilika Hysi shprehen se nuk ka nevojë për ndryshime në Kushtetutë, pasi Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK-u garantojnë plotësisht pastrimin e politikanëve.

Vasilika Hysi: Ndryshimin në Kushtetutë për vettingun e politikanëve, të atyre që janë në politikë dhe që kanë qenë, e kemi miratuar që me ndryshimet kushtetuese të vitit 2016. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatën e Posaçme.

Por pavarësisht kësaj, Hysi tha që kjo nismë e opozitës do të shqyrtohet sipas të gjitha procedurave parlamentare, pavarësisht se është një amendim që shumica pritet ta rrëzojë.

Vasilika Hysi: Kush do ta pastrojë klasën politike? Vetë politikanët do ta pastrojnë politikën? Në bazë të procedurën parlamentare ne jemi të obliguar të kemi detyrimin për ta marrë, për ta shqyrtuar. Por ky problem në mendimin tim, në arsyetimin tim është i zgjidhur në Kushtetutë.

Deputetja i bëri thirrje opozitës që nësë vertët është e shqetësuar për pastrimin e figurave të politikës, të vijë në punimet e Komisionit dhe Parlamentit që të votojë ligjet e drejtësisë për të bërë të mundur edhe zhbllokimin e ngërçit në të cilin është futur sistemi i drejtësisë.

Vasilika Hysi: Meqenëse zotit Basha i djeg shumë për pastërtinë e politikanëve, për lidhjet me botën e krimit, atëherë le të ulet dhe të shikojmë sesi ne mazhorancë dhe opozitë të luftojmë së bashku për të nxitur këtë proces që të fillojë sa më shpejt.