Kush e tradhtoi 43 vjeçarin e ekzekutuar me shtatë plumba në Tepelenë?

Një ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Rabije të Tepelenës, ku 43-vjeçari Alket Muho u ekzekutua me plumb pas koke ngrihen mjaft pikëpyetje.

Burime të Shqiptarja. com dhe Report Tv thonë se në afërsi të fshatit ku ai jetonte, në Gllavë ishin asgjësuar një ditë para se ta vrisnin parcela me kanabis, e dyshohet se Muho mund të ketë qënë informatori i policisë për këtë rast.

Për të zbardhur të vërtetën e kësaj vrasje dhe kush e dekonspiroi informatorin e policisë dhe e ekspozoi para trafikantëve, është ngritur një grup i posaçëm hetimor.

Dyshimet janë të shumta, dikush brenda radhëve të policisë mund të ketë nxjerrë emrin e informatorit e t’i jepte mundësi pronarëve të parcelave me hashash ta zhduknin. Të parë që po hetohen janë punonjësit e policisë së Memaliajt por nuk përjashtohet mundësia që ai të jetë pikasur edhe nga banorët e zonës.

Muho mund t’i jetë drejtuar policisë edhe si një dëshmitar, si një njeri që ka parë parcelat me kanabis dhe ka shkuar të bëjë një kallëzim zyrtar, e pas kësaj askush nuk e ka marrë në mbrojtje.

Alket Muhaj u gjet i pajetë një ditë më parë në tokat e tij në fshatin Rabije ndërsa mësohet se ai ishte bashkëpunëtor i policisë për zbulimin e parcelave me kanabis që kultivoheshin në zonën ku ai banonte. Shqiptarja.com dhe Report Tv mësojnë se ai është qëlluar me shtatë plumba në pjesën e pasme të trupit.