Salvini: Merkel nënvlerësoi rrezikun dhe pasojat e emigrimit

Ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Salvini, në një intervistë për Deutsche Velle u shpreh se qeveria gjermane e nënvlerësoi rrezikun e konflikteve sociale për shkak të migrimit. Ai theksoi se në një moment që Bashkimi Europian nuk bën asgjë për sa i përket ardhjes së emigrantëve në Itali, ai preferon të bëjë marrëveshje me vende jo anëtare si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia.

Mateo Salvini ministri i Brendshëm i Italisë është shprehur shumë i kënaqur me atë që ka arritur në 100 ditët e para si pjesë e qeverisë. Në një intervistë për Deutsche Vele ai kritikoi qeverinë gjermane të kancelares Merkel duke thënë se ajo e nënvlerësoi rezikun e konflikteve sociale që vijnë si pasojë e emigrimit. Salvini tha se fushat e ku ai ka kompetencë janë siguria, imigrimi dhe rendi publik.
Duke qëndruar në temën e emigracionit, zëvendës kryeministri italian u shpreh se, megjithëse normalisht e përshkruajnë si huligan, ai përpiqet gjithmonë të argumentojë, të diskutojë dhe të pyesë.

“Për reformën e rregullave të Dublinit ne bëjmë propozime, presim, propozojmë. Është e qartë që unë dua t’i ndaloj të gjitha ardhjet. Vitin e fundit, në periudhën deri në gusht në Evropë erdhën 100.000 vetë dhe BE ndërmori pak ose asgjë. Këtë vit, deri tani kemi 20.000 ardhje dhe BE vazhdon të bëjë pak. Pra, unë jam gjithmonë për dialog me BE, por që prej incidentit të fundit ne zhvillojmë bisedime edhe me shtete jo anëtare të BE si Shqipëria, Serbia ose Mali i Zi”.

Vërejtjes së gazetarit se kryeministri Xhuzeppe Konte nuk është thuajse fare i pranishëm, Salvini iu përgjigj se bëhet fjalë për dy personalitete të ndryshme. “ Unë dhe Luixhi di Maio nga lëvizja “5 yje” jemi zëvendëskryeministra. Ne jemi kryetarë partish. Prandaj është e qartë që ne për shkak të karaktereve dhe roleve tona jemi më të pranishëm si tendencë, por ne jemi ekip i mire” shtoi ai.