Shehu: Shqipëria e Kosova të bëjnë çmos për një rezultat pozitiv të referendumit në Maqedoni

Deputeti demokrat Tritan Shehu ka deklaruar sot se faktori shqiptar në Ballkan duhet të ndikojë në një rezultat pozitiv të referendumit për emrin e Maqedonisë që do të mbahet me 30 Shtator.

Në një postim në rrjetet sociale, Shehu shkruan se Shqipëria, Kosova dhe i gjithë faktori shqiptar në Rajon, duhet të bëhen aktivisht “krahë” për të ndihmuar në një rezultat pozitiv, jetik ky për Maqedoninë.

Më tej ai shtoi se ata të cilët duan ta “minojnë” këtë Referendum, janë po ata që në vite krijuan shumë probleme artificiale me Greqinë, Brukselin e NATO-n, për të ngritur, siç thotë ai, pengesa të pafalshme në proceset integruese, dhe që sot vazhdojnë të përpiqen ta vendosin vendin e tyre diku larg në Lindje, qoftë kjo edhe për llogari të vendeve të treta.

Ja postimi i plotë i Tritan Shehut

Shqipëria e shqiptarët e tjerë në Rajon nuk mund të qëndrojnë indiferent ndaj Referendumit të 30 Shtatorit në Maqedoni!

Aty u hap zyrtarisht fushata e Referendumit të 30 Shtatorit, për ndryshimet kushtetuese dhe të emrit të saj, në bazë të marrëveshjes me Greqinë.

Rezultati pozitiv i këtij Referendumi konfirmon rrugën europiane për atë vend fqinj, si dhe i mundëson anëtarësimin e menjëhershëm në NATO.

Në të kundërt, askush nuk mund të parashikojë se në çfarë “skutash” do të vazhdojë të endet ai shtet, duke rrezikuar seriozisht jo vetëm stabilitetin e të ardhmen, por edhe vetë ekzistencën e tij, si dhe duke gjeneruar kështu destabilitet në të gjithë Rajonin.

Është shumë pozitiv fakti që në tërësi faktori shqiptar aty dhe partitë e tij politike, në qeverisje apo opozitë këto, jo vetëm janë shprehur pozitivisht, por dhe janë organizuar që të zhvillojnë një fushatë energjike e aktive në favor të “Po”-së, në një aleancë të përbashkët apo qoftë dhe në veçanti.

Pa dyshim, kjo shpreh e konsolidon qartësisht pozicionin e aspiratën e madhe të shqiptarëve për Europë e Perëndim.

Ata të cilët duan ta “minojnë” këtë Referendum, janë po ata që në vite krijuan shumë probleme artificiale me Greqinë, Brukselin e NATO-n, për të ngritur pengesa të pafalshme në proceset integruese, dhe që sot vazhdojnë të përpiqen ta vendosin vendin e tyre diku larg në Lindje, qoftë kjo edhe për llogari të vendeve të treta.

Në këto kushte, Shqipëria, Kosova, i gjithë faktori shqiptar në Rajon, duhet të bëhen aktivisht “krahë” për të ndihmuar në një rezultat pozitiv, jetik ky për Maqedoninë.

Dhe ka shumë mënyra të tilla demokratike, legale, transparente, aspak në kundërshtim me sovranitetet, që mund të definohen e aplikohen nga neve në koordinim të plotë, veçanërisht, me partitë shqiptare aty, për fitoren e Referendumit, gjë me shumë rëndësi për Ballkanin Perëndimor, për të gjithë ne.