Detyrimet tatimore online – MTax-eFiling, aplikacioni që ju vjen në ndihmë bizneseve

Të gjitha bizneset mund të informohen për detyrimet e tyre tatimore përmes një aplikacioni të veçantë të vendosur në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Përmes një njoftimi për media, ky institucion bën me dije se aplikacioni MTax-eFiling, iu vjen në ndihmë të gjithë tatimpaguesve, në çdo kohë dhe kudo ku ndodhen, që të informohen rreth detyrimeve tatimore.

Administrata tatimore nxit tatimpaguesit që të përdorin këtë aplikacion pasi nuk ka asnjë kosto dhe për më tepër mund të informohen shpejt mbi deklarimet dhe pagesat. Gjithashtu, me anë të aplikacionit, tatimpaguesit kanë mundësi të lidhen me faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për t’u përditësuar me të rejat më të fundit.

Aplikacioni M-Tax eFiling, operon në sistemet Android, iOS dhe zë shumë pak hapësirë në memorien e pajisjeve elektronike. Identifikimi bëhet përmes emrit të përdoruesit (NIPT) dhe Fjalëkalimit. Ky aplikacion lehtëson procedurat për subjektet.