Klosi: Ka ardhur koha për projekte të përbashkëta mjedisore me Kosovën

Në mes të vargut të gjatë makinave që hynin nga Kosova në pikën kufitare të Morinit 200 të rinj të projektit Smile Albania nisën pastrimin e zonës në të dyja anët e kufirit. Në krah të tyre ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi shoqëruar nga kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu dhe përfaqësues të komunës së Prizrenit. Të gjithë në një aksion të përbashkët pastrimi të cilin ministri Klosi e cilësoi jo vetëm simbolik, por edhe të nevojshëm në këto ditë kur janë të shumtë pushuesit kosovarë dhe të huaj që kalojnë në këtë pikë kufitare.
Ministri Klosi siguroi se mikpritja për pushuesit nga Kosova do të vazhdojë edhe gjatë muajit shtator ndërsa apeloi pushtetin lokal në të dyja anët e kufirit për të ndihmuar në mirëmenaxhimin e mjedisit. Duke komentuar statistikat e hyrjes së pushuesëve në pikën e Morinit, ku vetëm gjatë ditës së sotme pritet të hyjnë në këtë pikë kufitare 70 mijë pushues, ministri Klosi u shpreh se pushuesit qe kalojnë pikën e Morinit duhet të gjejnë jo vetëm buzëqeshjen e mikpritjes por edhe një pastërti shumë të nevojshme në të dyja anët e kufirit. “Shqipëria, pa dyshim, edhe në këtë vit, do të kalojë numrin e 5.5 milionë turistëve të huaj dhe po t’i shtojmë edhe turistët shqiptarë në shifra që kthehen në 6 milionë turistë që kanë shfrytëzuar bregdetin dhe pasuritë tona natyrore.”- shtoi ministri Klosi
Ministri Klosi theksoi gjithashtu se ka ardhur koha që të dyja anët e bjeshkëve të trajtohen me projekte rajonale mjedisore dhe turistike për zgjidhjen e problematikave dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit. Nga ana e tij kryetari i bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, u bëri thirrje banorëve të Kukësit dhe dy ministrive të linjës, në Shqipëri e Kosovë, për të kontribuar sa më shumë për mjedisin në Kukës.
Nga të rinjtë e Smile Albania ministri Klosi kërkoi që të vazhdojnë si në ditën e parë që të mirëpresin me buzëqeshje dhe mjedis të pastër turistët e huaj. Rreth 200 të rinj të projektit Smile Albania nga Kukësi, Shkodra, Lezha, Durrësi e Tirana u mblodhën në pikën kufitare të Morinit për të pastruar dy anët e kufirit deri në afërsi të liqenit. Në këtë aksion të rinjtë u mbështetën nga punonjës të bashkisë së Kukësit dhe komunës së Prizrenit.

Fjala e ministrit Klosi
Projekti “Smile Albania” po konkludon dhe jemi në 10 ditëshin e fundit të një përpjekjeje tonë 2 mujore për të dëshmuar se në Shqipëri ka mikëpritje për këdo turist vendas apo të huaj. Kemi dy muaj që në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha pikat hyrëse ne kemi shpërndarë buzëqeshje dhe bashkë me buzëqeshjet kemi shpërndarë edhe nëvojën që të kemi edhe më shumë pastërti. Edhe sot do të doja të falenderoja shumë edhe të dy kryetarët e bashkive, të bashkisë së Kukësit dhe të komunës së Prizrenit që mbështetën këtë nismë të projektit “Smile” për të pastruar zonën ndërmjet dy kufijve. E bëjmë në mënyrë simbolike dhe të nevojshme. E bëjmë në mënyrë simbolike pasi kemi nevojë që të dëshmojmë se nuk ka kufi dhe ne në të dy anët e bjeshkëve e kuptojmë se turizmi është një industri që duhet ta zhvillojmë me shumë sukses. E bëjmë në mënyrë simbolike që dy bashkitë, e Kukësit dhe të Prizrenit, ndihmojnë për të pastruar në këtë moment kur hyjnë kaq shumë turistë vendas dhe të huaj. E bëjmë në mënyrë simbolike që ka ardhur koha që ashtu siç e tha edhe kryetari I bashkisë së Kukësit për ta parë projekte rajonale, jo vetëm për turizmin, jo vetëm për ta parë këtë zonë një produkt turistik që turistët të gjejnë bukuritë e bjeshkëve pa parë se ku është vija e kufirit, por njëlloj të gjejnë mikpritje si në këtë anë dhe në atë anë të kufirit, për të patur mundësinë që këtë zonë ta trajtojmë së bashku me projekte natyrore, por edhe mjedisore, për të parë së bashku me qeverinë e Kosovës që liqenin e Fierzës ta mbajmë pastër nga prurjet e lumenjve dhe të kemi mundësinë që këtë zonë kaq të bukur mos ta ndotim me mostrajtimin e duhur të mbatjeve urbane në të gjitha qytetet dhe njësitë administrative të kësaj zone të malësisë. Por po ashtu e bëjmë për të parë fare qartë që në këto ditë, derisa të mbyllet sezoni turistik, deri në fund të shtatorit, ata që do të kalojnë pikën e 4Morinës, turistët, por sidomos vëllezërit tanë nga Kosova, të gjejnë jo vetëm buzëqeshjen e projektit ‘Smile”, por edhe një pastërti shumë të nevojshme në gjithë këtë zonë, në të dyja anët e kufirit. E them këtë, sepse siç kishim statistikat që vijnë nga drejtoria e policisë, vetëm në katër orët e para të mëngjesit, 04.00-08.00, kanë hyrë 32 mijë shtetas kosovarë që i janë drejtuar bregdetit shqiptar për pushime, duke shfrytëzuar pas festës së Bajramit, 10 ditëshin e fundgushtit, por edhe dy javëshin e parë të shtatorit dhe vetëm sot në një ditë, pritet që të kalojë numri 70 mijë i shtetasve kosovarë që vijnë për turizëm në Shqipëri. Pra është një numër i konsiderueshëm, që të çon te debati për praninë e turistëve të huaj, një debat që nuk ka shumë vlerë, por vlera më e madhe është që ne duhet të vazhdojmë të presim turistët e huaj. Shqipëria, pa dyshim, edhe në këtë vit, do të kalojë numrin e 5.5 milionë turistëve të huaj dhe po t’i shtojmë edhe turistët shqiptarë në shifra që kthehen në 6 milionë turistë që kanë shfrytëzuar bregdetin dhe pasuritë tona natyrore. Por pika e Morinës është shumë e nevojshme për të qenë sa më mikpritëse dhe sa më e pastër, pasi në një vit ne presim mbi 1.7 milionë shtetas kosovarë që kalojnë këtë pikë kufitare dhe vijnë të kalojnë pushimet në Shqipëri. E kemi shumë të nevojshme atë që kemi thënë edhe në takimet që bëmë në Prizren, edhe këtu në Kukës dhe vazhdojmë ta themi: bregdeti është i njëjtë, bregdeti është i përbashkët, bregdeti nuk ka ndarje për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, mikpritja është e njëjtë, mikpritja është e përbashkët, mikpritja shqiptare është e njëjtë për të gjithë qytetarët në të dy anët e kufirit. Ndaj dhe ne do të bëjmë sot këtë aksion dhe operacion simbolik, do të bëjmë një aksion që mbulon të gjithë sipërfaqen nga kufiri kosovar deri në afërsi të liqenit të Kukësit për ta patur mundësinë që të bëjmë një siatuatë më të pastër edhe nga fluksi shumë i madh i njerëzve që jo gjithmonë e kanë kërkesën e tyre të parë për të mbajtur të pastër mjedisin. Prandaj 200 të rinj të projektit “Smile” nga Shkodra, Lezha, Durrësi dhe Tirana dhe të rinj të projektit “Smile” që kanë qenë gjatë gjithë kohës në pikën e Qafë-Morinës do të punojmë sot për ta bërë këtë sipërfaqe shumë të pastër. Falenderoj kryetarin e bashkisë së Kukësit që iu bashkua operacionit dhe kryetarit të komunës së Prizrenit që iu bashkua anës tjetër për të krijuar një operacion të përbashkët simbolik, për të vazhduar më tej me operacione të tjera, të cilat do të kërkojnë që edhe atë që ka logo projekti “Smile”, që të mbajmë pastër qe te gjejme paster. Ne do ta përpiqemi që të vazhdojmë edukimin mjedisor si një ndër gjërat më të rëndësishme që qeveria shqiptare, Ministria e Mjedisit dhe e Turizmit do të kenë edhe në vitin e ardhshëm, në kuadër të një Shqipërie europiane turistike. Shumë faleminderit të gjithë të rinjve për operacionin që kanë ndërmarrë gjatë këtyre dy muajve. Ju bëj edhe një herë thirrje që në këto 10 ditë që kanë mbetur të jemi çdo ditë në krye të detyrës dhe me të njëjtin entusiazëm si ditën e parë kur e filluam operacionin “Smile Albania”. Suksese.