Mimoza Dajçi, publicistja që na befason

Gazetarja shqiptaro-amerikane reflekton përvojën gati 30 vjeçare në shtypin e shkruar
Nga Av. Halil RAMA

Me një karrierë gati 30 vjeçare në shtypin e shkruar, Mimoza Dajçi është tashmë një zë dinjitoz në publicistikën shqiptare.
Në librin e saj të ri “E bukura në pranga”, ajo ka përmbledhur vetëm një pjesë të krijimtarisë së saj publicistike. Por pa asnjë mëdyshje ky libër është befasi në botimet e fundit. Mimoza të befason me diapazonin e gjerë e njohuritë e saj për jetën dhe me mënyrën e të rrëfyerit të ngjarjeve e fenomeneve në reportazhet, skicat letrare, essetë e përshkrimet. Nëpërmjet tyre, si edhe në tre poezitë e përzgjedhura ajo prezantohet me një leksik të pasur dhe një model gjuhësor për t’u marrë si shembull nga bashkëkohësit dhe veçanërisht nga gazetarët e rinj. Dhe padyshim, pjesa e portretizimit është testi i saktë i profesionalizmit të saj, të cilin e kalon shkëlqyeshëm në profilet e Isa Boletinit, Mine Mulosmanit, Rukie Ndreut e të disa biznesmenëve të sukssesshëm shqiptarë në SHBA.
Dimensionit të saj si gazetare i bashkangjitet edhe aktivizmi i theksuar, veçanërisht në përpjekjet qytetare për çështjen tonë kombëtare. Si pinjolle e një familje atdhetare ajo nuk nguron të shkojë deri në Hagë për të investiguar krimet e Millosheviçit kundër kosovarëve, ashtu siç bën analiza perfekte për genocidin e pashëmbullt komunist në Shqipëri.
Gazetare. Aktiviste e të drejtave të njeriut. Anëtare e Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë nga viti 1995. Anëtare e Lidhjes Internacionale të Gazetarëve që në 1996. Themeluese dhe drejtuese e Organizatës së Gruas Shqiptare – Amerikane The Women’s Organization “Hope & Peace” në SHBA. Qëndrestare, aktive e orëve të para të lëvizjes për demokraci në Shqipëri.
Mimoza Dajçi është pjesëmarrëse në hedhjen e bustit të diktatorit Hoxha në Tiranë familjarisht me të atin, vajzën – në atë kohë 6 vjeçare, e të gjithë familjen e saj, deri tek Qyteti Studenti për ditë e net në solidarizim me studentët grevistë. Ish themeluesja dhe Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Gruas ish të Përndjekur Politike të Shqipërisë, pasi ka patur të atin Enver Dajçi ish të burgosur politikë dhe xhaxhain Rasim Dajçi të pushkatuar nga komunizmi me në krye Shefqet Peçin në Prizren në nëntor të vitit 1943, do të provonte dhe përballonte me dinjitet peshën e rëndë të persekutimit nga djajtë e atij sistemi makabër.
Për çështje biografie i pengohet arsimimi i lartë, por që mundi ta ndjekë dhe përfundojë vetëm pas rrëzimit të rregjimit komunist në Shqipëri, kur në fuqi erdhi Qeveria Demokratike. Gjatë regjimit komunist ka punuar në punë tepër të rënda krahu e të detyruara nga këshilli I lagjes ku banonte në Tiranë, si në Fermën e Tapizës – hapje tokash të reja; pastruese me tre turne në Spitalin Nr. 3 Pediatrik në Tiranë; punëtore ngarkim shkarkimi për qymyrgurin në Minierën e Valiasit, etj.
Në vitin 1995 pas një Konference që u mbajt në Akademinë e Shkencave në Tiranë nga elektorati i Shtresës Ish të Persekutuar Politike të Tiranës, Zj. Dajçi zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës së Ish të Persekutuarve Politikë Dega Tiranë dhe Sekretare Kolegjumi për gazetën e asaj kohe “Përndjekja”. Vitet që kalonin paraqitën situata të vështira edhe për Mimozën e familjen e saj, ku shpesh herë jeta e saj ka qenë e rrezikuar nga ekstremizmi i majtë në Shqipëri. Në vitin 1998 arrestohet nga policia e Tiranës, gjatë një proteste paqësore së bashku me dy deputetë të Partisë Demokratike në Bulevardin e Kryeqytetit.
Për sakrificat e ndershmërinë e saj në drejtimin organizativ e shoqëror për demokracinë e paqen në vend, po në vitin 1998 Mimoza zgjidhet Sekretare e Përgjithshme e Unionit të Shoqatave dhe OJQ të Shqipërisë.
Pas rënies së komunizmit Zj. Dajçi ka punuar titullare në Ministrinë e Arsimit të Lartë dhe Shkencës, por me ndryshimin e qeverisë në vitin 1997 e largojnë nga ky institucion si ish e persekutuar politike dhe për bindjet e saj demokratike. Fillon punë inspektore e arsim kulturës pranë Bashkisë Tiranë, (Kryetar Bashkie në atë kohë ishte Albert Brojka), punë qe e kreu me sukses deri ditën që u largua nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mimoza Dajçi është veprimtare e shquar e komunitetit shqiptar në Amerikë. Njihet për sakrifica dhe tolerancë fetare. Shquhet për humanizëm e bamirësi.
Është dekoruar me disa Çmime e Tituj të Lartë si: “Ambasadore e Paqes”, nga një Organizatë Amerikane me qendër në Washington DC, që bashkëpunon me OKB – FUP; “Fytyra e Respektit”, nga “Montefiore Hospital” ku Mimoza punon si Tech/ Aid pranë Departamentin te Radiollogjisë në New York; Medalje për “Merita të Veçanta” nga Presidenti i Bashkisë në Bronx Ruben Dias Jr; Dekoratë – Mirënjohje për veprimtari humane e bamirëse nga Kryekontrollori i Lartë i New Yorkut Scot Stringer.
Është dekoruar me “Mirënjohje të veçantë” nga Assemblyman Mark Gjonaj.
Për penën e saj të guximshme në fushën e gazetarisë është dekoruar gjithashtu nga Akademia Shqiptaro Amerikane në SHBA dhe Revista “Kuvendi” me Çmimin “At Zef Pllumbi”.
Eshtë publiciste e njohur, femër patriote, me kurajo të fortë dhe e guximshme.
Mimoza Dajçi ështe mbesë nga familja e Heroit tonë kombëtar Isa Boletini. Me organizatën që ajo drejton ne SHBA ka ngritur vazhdimisht zërin për të drejtat e gruas së ish të burgosur dhe persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri, si dhe për gruan e dhunuar e malltrajtuar nga lufta e makinerisë serbe në Kosovë deri në OKB, Hagë si dhe ka mbështetur lirimin liderëve të Kosovës në Hagë e Z. Ramush Haradinaj në Hagë dhe Francë me protesta në Manhattan se bashku me Assemblyman Mark Gjonaj si dhe me materiale publicistike në media.
Së bashku me Shoqatën “Duart e hapura” kanë dërguar në Shqipëri ndihma humanitare me rastin e përmbytjeteve me anë të kryqit të Kuq Shqiptar në jug të vendit.
Çdo fundviti së bashku me liderët politikanë dhe anëtaret e organizatës “Hope & Peace” në New York ndajnë ndihma në ushqime dhe paisje shkollore për gratë dhe fëmijët me të ardhura të pakta financiare.
Ajo është një femër tepër aktive në median e shkruar dhe elektronike. Shpesh herë në emër të Organizates “Hope & Peace” Mimoza me anëtaret e tjera dalin me deklarata publike në mbrojtje të të drejtave të gruas së dhunuar në familje nga bashkëshortët, etj. Si gazetare dhe lidere në komunitet është intervistuar disa herë nga TV – Zëri Amerikës.
Eshtë për tolerancën fetare, kundër dhunës e trafikimit njerëzor, ku sëbashku me shumë organizata të tjera për gruan ka marrë pjesë në mbështetje të kauzës për të drejtat e gruas pranë OKB, Hagë, New York, Florida, etj.
Si drejtuese e organizatës “Hope & Peace” në New York për të drejtat civile ka qenë e ftuar në Samitin Botëror të Gruas në Japoni, New York, Samitin e C 20 dhe G 20 në Hamburg të Gjermanisë.
Në shkurt të vitit 2018 u intervistua nga TV – BBC si gazetare dhe ish e persekutuar politike nga regjimi komunist në Shqipëri, si dhe për të dëshmuar mbi persekucionin e saj familjar.

*Shkrimtar & Publicist