Ndërkombëtarët nuk binden nga vendimi i KPK për Gentian Medjen

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) nuk është bindur nga vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe ka rekomanduar apelim të tij për një tjetër rast. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës Administrative në Tiranë, Gentian Medja, i cili është kandidat për në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, dhe u konfirmua në detyrë më datën 1 Gusht nga ana e KPK-së.

ONM-ja u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të apeluar vendimin për Medjan, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Komisionerët Publikë kanë njoftuar se janë në pritje të marrin në dorë3zim vendimin e KPK-së, për ta shqyrtuar dhe për të vendosur nëse do ta kalojnë për apelim, apo do ta lënë në fuqi.

Ky është rasti i dytë kur Ndërkombëtarët kërkojën apelimin e vendimit të KPK-së, pas atij të pak ditëve më parë, për kryetarin e Gjykatës së lartë, Xhezair Zaganjori. Ky i fundit kaloi me sukses Vetting-un, por duket se ndërkombëtarët nuk u bindën me vendimin dhe u rekomanduan Komisionerëve Publikë të apelojnë këtë vendim.