ANALIZAT/ Si ta kuptojmë vendimin e Ilir Metës për Teatrin Kombëtar

Deri tani Edi Rama nuk ka folur për këtë “shuplakë” të ish-aleatit të tij të cilin pak ditë më parë e cilësonte si “Presidentin më të mirë që ka pasur ndonjëherë vendi”. Nga mazhoranca i pari që reagoi ishte Erion Veliaj, pastaj Ditmir Bushati dhe më i ashpri Taulant Balla.

Por a është kjo lëvizje e Ilir Metës një goditje përtej një ligji të kthyer siç është ai për Teatrin? A është ky vendim i Metës hapi i parë i një ndarjeje të fortë mes Presidentit dhe Kryeministrit? A është ky një sinjal për Erion Veliajn kur ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet lokale dhe kryebashkiaku i Tiranës kërkon me çdo kusht një aleancë fluide me LSI-në? A qëndroi Meta mbi palët në këtë rast?
Këtyre pyetjeve u kanë dhënë përgjigje disa prej gazetarëve dhe analistëve në portalet dhe gazetat e botuara të shtunën.

Gazetari Mero Baze në gazetën e tij “Tema” në një shkrim me titull “Ilur Meta ka bërë detyrën” thotë se kreu i shtetit “nuk ka zhgënjyer askënd”. Për Bazen, Meta mbetet një përfaqësues politik dhe nuk është veshur nga konteksti partiak.

“Kryearsyeja ka të bëjë me faktin se Ilir Meta nuk është President mbi palët, por bashkryetari i opozitës dhe si i tillë ai nuk mund të hidhte në erë postin e tij real. Duke ndarë postin e bashkryetarit të opozitës, ai është në të drejtën e vet të mbrojë pozicionin e saj. Vota e tij ka të bëjë mbi të gjitha me unitetin e opozitës. Një vendim ndryshe i Ilir Metës do të përçante opozitën, do ta dobësonte atë dhe do ta fuste të ardhmen e bashkëpunimit LSI-PD në një spirale të rrezikshme” – shkruan Baze që shton se Meta “pranoi dhe lojën e “kërcënimit” nga Lulzim Basha, deri me luftë civile, që të vepronte dhe në emër të “shmangies” së kësaj lufte, edhe pse ai Lulzim Bashën sië thotë vetë nuk e beson, edhe kur i thotë “Mirëmëngjesi”.

Baze shkon edhe më tej kur thotë se Meta u ka kthyer “borxhin” demokratëve që e mbrojtën kur ishte hall gjatë kohës që ishin në pushtet.

“Është fjala për një betejë politike, të cilën Ilir Meta ka të gjithë të drejtën e zotit ta bëjë si bashkryetar i opozitës. Nuk ka pse bëhet bukëshkalë me partnerët e tij në opozitë, aq më keq, që kur ishin bashkë në pushtet, dhe Ilir Meta ishte në hall, ata e mbrojtën me gjak. Do të ishte turp të sillej ndryshe. Ti shiste për një Teatër, i cili mund të bëhet 50 ditë më vonë!” – e mbyll Baze.

Preç Zogaj në një shkrim të gjatë në gazetën “Panorama” me titull “Pse shembja e Teatrit nuk ka të ngjarë me Pazarin e ri, sheshin Skënderbej dhe këndin e lojërave të Liqeni” argumenton se “beteja” për Teatrin është e ndryshme nga ajo që përpiqet ta paraqesë qeveria dhe bashkia. Zogaj bën edhe një koment për vendimin e Presidentit duke e parë këtë si një shans për të reflektuar nga ana e qeverisë.

“Dje u shpreh me dekret për ligjin e Teatrit Presidenti i Republikës, zoti Ilir Meta. Ai e ktheu ligjin për rishqyrtim, duke i dhënë një shans reflektimit të qeverisë. Presidenti mbajti një qëndrim ligjor që fiton një rëndësi të shtuar në kushtet kur nuk funksionon Gjykata Kushtetuese. Presidenti i dha rëndësi këtij vakumi për një ligj kaq të debatuar, që ka ndarë mbarë shoqërinë. Presidenti mbajti parasysh edhe zërin e artistëve. Madje, edhe të atyre që i kishin dërguar dje një peticion ku kishin kërkuar të mos preket asnjë centimetër e truallit.

Nëse ka një pikë ku bashkohen të gjithë artistët është pikërisht kjo: të mos preket asnjë centimetër i truallit. Trualli i Teatrit është rreth gjashtë mijë metra katrorë. Ka pasur një dallim midis artistëve që kundërshtojnë shembjen e Teatrit dhe atyre, që janë dakord për një Teatër të ri pa prekur asnjë centimetër të truallit. Në këtë dallim të vogël, qeveria ka rrëshqitur kullat e saj. Këtu është luajtur truku. Tani artistët kanë mundësi të sqarohen për këtë pikë, të bashkohen pa dallime si të ndryshëm për truallin. Trualli të mos preket. Firma “Fusha” me treqind metrat e veta dhe bashkia me dymijë e ca të vetat të bëjnë ç’të duan. Problemi zgjidhet këtu. Ligji bie” – thotë Zogaj.

Andi Bushati në një shkrim në lapsi.al me titull “Akti i Metës dhe reagimi qesharak i Veliajt” e thotë që ne fillim se “Ilir Meta ka kryer këtë të premte një akt të denjë për postin që mban. Ai e ktheu në kuvend ligjin skandaloz për shembjen e teatrit, por më shumë sesa ky vendim politik, presidentit i bëjnë nder 9 argumentet që renditi për ta përligjur zgjedhjen e tij. Me një gjuhë të përkorë dhe me kujdesin për të qene “i qetë dhe i dashur me të gjithë”, Ilir Meta ka theksuar gjëra shumë të rënda” – shkruan ndër të tjera Bushati, i cili më pas ndalet te përgjigjja e Veliajt për Metën të cilën e cilëson si qesharake.

“Po kë nxori të përgjigjej Rilindja? Natyrisht kryekllounin e saj, Erion Veliaj. Ishte njësoj si të dërgoje Gaz Pajën të të mbronte përpara komisionit vettingut. Madje dhe më keq. Mjafton të lexosh të plotë reagimin e kryebashkiakut, që të kuptosh se nuk ka asgjë të ndryshme nga mendësia e njeriut që për propagandë përdhos dhe ditën e vet të dasmës. Asnjë fjalë për shkeljen e barazisë në biznes, asnjë fjalë për përçudnimin e autonomisë vendore, asnjë fjalë për shpërfilljen e marrëveshjeve ndërkombëtare, asnjë fjalë për trashëgiminë kulturore. Në vend të tyre, një loghore e denjë për një njeri që është mësuar të flasë pa i drejtuar kush pyetje dhe që komunikimin publik e koncepton si shpërndarje kasetash të gatshme” – shkruan Bushati që e mbyll: “Përmes cektësisë dhe banalitetit të Veliajt, që foli këtë herë në emër të socialistëve, nuk është e vështirë të kuptosh se deri në ç’pikë ka degraduar Rilindja. Po, po, deri në pikën që i jep mundësinë Ilir Metës, që të duket si burrë shteti.”/lapsi/