KPK: Prokurori i Tiranës ka fshehur pasurinë

Prokurori i Tiranës, Dritan Rreshka ka dalë përpara Vetting-ut pasditen e së premtes, duke deklaruar se ka konstatuar “gjetje të njëanshme nga ILDKPKI”.

“E kam konsideruar atë raport të njëanshëm dhe juve ua kam vendosur në dispozicion sepse këto gjetje të ILDKPKI-së kanë lidhje me një hetim që unë kam drejtuar tek Krimet e Rënda kur isha prokuror”, tha Rreshka.

Sipas KPK-së, ka deklaruar të ardhura nga qiraja dhe emigracioni, por KPK-ja ka dalë në përfundimin se ka mungesë për të ardhurat nga emigracioni dhe qiratë për objektet që ka në pronësi; Ka mungesë të burimeve të ligjshme për katin e e tretë dhe të katërt; Ka mospërputhje për koston e ndërtimit.

Raporti i ILDKPKI ka dalë në përfundim se Rreshka ka fshehur pasurinë dhe ka kryer deklarim të rremë.

Rreshka është përgjigjur: “Kam depozituar në KPK kontratën e punës të siguruar në Greqi, atje ku kam punuar në vitin 1997-1998. Nga 1999 deri në 2003 kam punuar pranë organizatës amerikane CRS. Të ardhurat e mia nga puna në Greqi dhe nga puna në periudhën 1999-2003 nuk i ka analizuar as ILDKPI dhe as KPK-ja”.

“Çfarë nuk kam deklaruar? Pse nuk bëra legalizimin e shtëpisë? Legalizimi është bërë në 2010 dhe secili anëtar ka marrë pjesën që i takon. Unë jetoj vetëm në njërin kat bashkë me familjen, në katin tjetër vëllai dhe njëri është i pambaruar. Përmendët kredinë e butë. Në 2010 iu atribuan prokurorit të përgjithshëm disa kredi. Në atë kohë aplikova edhe unë. Ju dorëzova kopje të dokumentit që kam dorëzuar. Sqarimet ua kam dhënë. Ato kredi që i jepen prokurorit të përgjithshëm nuk jepen vetëm për prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme, por edhe për prokuroritë e rretheve. Dhe diskutimi më takon apo jo, nuk qëndron”, shtoi prokurori i Tiranës.

Në fund, Rreshka tha se nuk i ka ardhur mirë kur pa se në dosjen e dorëzuar prej tij në ILDKPKI nuk janë marrë parasysh provat./tch/