Raporti i Antidrogës, ish-Ministri: Haki Çako mbrojti dhe nuk largoi krerët e superkorruptuar të Policisë

Opozita dhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj prej dy ditësh janë përfshirë në një polemikë mbi raportin e antidrogës italiane, të bërë publik nga Zëri i Amerikës, raport ky në të cilin vlerësohet se Shqipëria është në vend origjine i prodhimit dhe trakimit të kanabisit në Itali dhe Europë.

Për këtë çështje ka reaguar edhe ish-ministri teknik i Brendshëm, Dritan Demiraj, që u propozua nga PD-ja si rezultat i paktit parazgjedhor Rama-Basha.

Demiraj, në qëndrimin e shprehur në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, shkruan se për periudhën e drejtimit të tij Maj-Shtator, të gjitha raportet janë pozitive.

Reagimi i plotë i ish-ministrit teknik Dritan Demiraj

Të nderuar miq!

Krenar që të gjitha raportet ndërkombëtare, përfshi këtu dhe më prestigjiozet në USA, BE, japin vlerësimin më të mirë dhe real për sa i përket luftës kundër trafikut të drogës në periudhën Maj-Shtator 2017, kohë në të cilën isha MPB, me gjithë mbrojtjen dhe mos largimin e drejtuesve të superkorruptuar nga ana e drejtorit të përgjithshëm të policisë, Çako.

Sigurisht, që lufta do ishte dhe më e egër nëse një pjesë e drejtuesve të policisë do ishin të papërfshirë në të, ndërkohë që kam mbështetur vetë në terren pastrimin e fushave me drogë, gjë e cila alarmoi DPPSH.

Megjithatë, mundësitë për pastrimin e Shqipërise nga droga ekzistojnë vetëm nëse politika qëndron larg mbështetjes së trafikantëve. Shpreh vendosmërinë absolute për mbështetjen e kolegëve, patnerëve dhe atyre politikave që janë të interesuar në pastrimin e Shqipërisë nga ky turp që po e mbyt çdo ditë dhe në të gjitha raportet ndërkombëtare.