Lëkundjet sizmike/Tërmeti godet sërish, intensiteti në rënie

Nga mesdita e së mërkurës e deri të premtem, 520 goditje tërmeti e kanë origjinën nga zona e Gjirit të Lalzit.

E gjithë Shqipëria është e rrezikuar nga tërmetet, për shkak të aktivitetit të dendur tektonik, sidomos në zonat bregdetare jonike dhe adriatike. Ashtu si tërmeti mbi 6 ballë i ditës së mërkurë, me epiqendër në zonën e Gjirit të Lalzit, i cili prej më shumë se tre ditësh shoqërohet vazhdimisht me tërmete të tjera.

Gjashtë lëkundje të tjera sizmike janë regjistruar midis të enjtes dhe të premtes në Durrës dhe Tiranë, me epiqendër sërish në detin Adriatik, përballë Gjirit të Lalzit. Lëkundja e parë dhe më e fuqishmja ka qenë ajo e orës 00:48, me intensitet 4.3 ballë të shkallës Rihter, sipas të dhënave të raportuara nga Qendra Europiane e Sizmiologjisë dhe Institutit të Gjeoshkencave. Lëkundja është ndjerë e fortë edhe në Tiranë.

Epiqendra është regjistruar në detin Adriatik, jo shumë larg nga bregdeti i Gjirit të Lalzit, 16 km në veri perëndim të Shijakut dhe 32 kilometra në veriperëndim të Tiranës me një thellësi prej 2 kilometrash.

Intensiteti sizmik në zonë ka vijuar edhe gjatë orëve në vijim, ku janë regjistruar edhe 5 tërmete të tjera me manitudë nga 2.1 deri në 3.3 ballë, i fundit i regjistruar në orën 05:28 të mëngjesit të sotëm.

Sipas raportimeve paraprake nuk raportohen dëme dhe nuk dihet nëse do të ketë lëkundje të tjera. Zona përreth Gjirit të Lalzit vijon të jetë me intensitet të lartë sizmik prej dy ditësh, ndërsa ka shkaktuar dëme materiale në disa banesa në zonat përreth.

Sipas ekspertëve të sizmiologjisë, është një tipologji e njëjtë e tërmeteve që, pas një goditjeje të fortë, shoqërohen me pasgoditje. Pra, pllakat tektonike në thellësi lëvizin derisa të zenë një vend të ri. Nisur nga ecuria e aktivitetit, ata mendojnë që është duke u relaksuar, pra duke arritur në ekuilibër. Kjo do të kërkojë edhe pak kohë, por një situatë e tillë ka treguar se të radhës do të jenë me magnitudë më të vogël, pra të mos përbëjë më rrezik.