Petrit Vasili: Zonja Vllahutin, më mirë hesht!

Kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratave të Ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vllahutin. Ambasadorja propozoi sot që opozita të bashkëpunojë me qeverinë “Rama” për reformat që kërkon BE. Një ide e tillë është hedhur dhe nga qarqe brenda mazhorancës, ku bashkë me “reformat” synohet kryesisht  të shpëtohet mandati i qeverisë “Rama”.

Në qëndrimin e tij, Petrit Vasili, i kërkon ambasadores së BE që më mirë të hesht dhe të mos bëjë më zëdhënësen e qeverisë. Vasili shprehet se pjesë e dështimit të negociatave është dhe diplomatja e BE që mbështeti në çdo shkelje ligjore qeverinë “Rama”.

Duke u ndalur në kërkesën e ambasadores për dialog, Vasili thotë se pikërisht kjo diplomate ka bërë çdo gjë që dialogu politik në Shqipëri të mos ekzistojë këto vite.

“A është e ndërgjegjshme se ç’kërkon kjo zonjë, që ka bërë gjithçka që dialogu të mos ekzistojë duke mbështetur verbërisht qeverinë? Vllahutin ka përgjegjësi të mëdha për bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ndihma e fundit mbase e vetmja ndihme e dobishme për Shqipërinë do të ishte që: Vllahutin të hesht. Pra hesht Vllahutin!!”,- shprehet Petrit Vasili.

Deklarata e plotë e kreut të deputetëve të LSI, Petrit Vasili:

“Ç’siklet apo detyrim ka Vllahutin, që nuk hesht edhe tani që dështoi.

Vllahutin konseguente në qëndrimet e saj qesharake proqeveritare dhe zëdhënëse edhe më e zellshme se qeveria vetë, foli përsëri sot.

Pasi promovoi e mbështeti më korrik të 2016 miratimin e njëanshëm të reformës në drejtësi vetëm nga maxhoranca, qoftë edhe me vota të blera, pavarësisht se miratimi konsensual me 140 vota bëri që të dështonte një skenar i tillë i turpshëm.

Pasi bekoi se bashku me Euralius zgjedhjen e turpshme, antikushtetuese dhe kundër komisionit të Venecias, të prokurorit të përgjithshëm.

Pasi mbylli gojën për trafikun gjigantesk të drogës dhe dezinformoi shqiptaret e europianët duke u thënë se “ishte e mahnitur nga rezultatet e qeverisë në luftën kundër drogës”.

Sot Vllahutin po kërkon shtrirjen e dorës nga opozita për dialog.

A është e ndërgjegjshme se ç’kërkon kjo zonjë, që ka bërë gjithçka që dialogu të mos ekzistojë duke mbështetur verbërisht qeverinë?

Vllahutin ka përgjegjësi të mëdha për bllokimin e integrimit europian të Shqipërisë dhe ndihma e fundit mbase e vetmja ndihme e dobishme për Shqipërinë do të ishte që: Vllahutin të hesht. Pra hesht Vllahutin!!”.