Belgjika i falet “perlës” së Januzajt ndaj Anglisë, e mbyll e para në grup (VIDEO)

Një gol i Adnan Januzajt i ka mjaftuar Belgjikës për të marrë 3 pikët e radhës, duke e mbyllur në vendin e parë në grupin G. Martinez dhe Southgate e nisën ndeshjen thuajse me formacionet e dyta, duke lënë pushim pjesën më të madhe të futbollistëve që kanë bërë diferencën në dy ndeshjet e para. Hazard, De Bruyne, Lukaku, Witsel dhe Carrasco u lanë në stol nga belgët, ndërkohë që në krahun tjetër Kane, Sterling dhe Dele Alli përfunduan në stol.

Sfida nis me ritëm të kënaqshëm me Vardy që jep sinjalin e parë në portën e Belgjikës në minutën e 2-të. Kundërpërgjigja e Belgjikës është e menjëhershme me Tielmans, i cili provoi me një goditje të fuqishme në hyrje të zonës, por Pickford reagon mjaft mirë duke devijuar topin në goditje nga këndi.

3 minuta më pas Batshuay ishte shumë pranë golit të avantazhit pas një rrëmujë në zonë, por Stones largoi topin në vijën e portës. Me kalimin e minutave të dyja skuadrat humbasin iniciativën për të kërkuar golin e avantazhit, duke u kënaqur me barazim pa gola në 45 minutat e para. Në fraksionin e dytë, sinjalin e parë e jep Rashford me një goditje të bukur në hyrje të zonës, por goditja e tij përfundon jashtë kuadratit.

Në minutën e 51-të, ndërkohë do të vinte një gol magjik, nga një tjetër shqiptar, Adnan Januzaj. Mesfushori me origjinë nga Kosova që përfaqëson Belgjikën, bën një driblim të bukur, dhe më pas lëshon një të majtë të hidhur që përfundon në cepin e portës së Pickford. Anglia u hodh në sulm në kërkim të golit të barazimit, teksa në minutën e 64-t, Rashford u shfaq përballë portierit Courtois, por goditja e tij përfundoi ngjitur me shtyllën e majtë. 10 minuta nga fundit Walbeck ishte shumë pranë golit, por goditja e tij që po shkonte drejt rrjetës u ndal nga Stones. Dy minuta nga fundi Belgjika ishte shumë pranë golit të dytë me Mertens, i cili goditi shumë fortë në hyrje të zonës, por portieri Pickford, u tregua i vëmendshëm duke larguar topin. Në fundin e shtesës, Fellaini krijoi iluzionin e golit pas një goditje me të majtën brenda zonës.

Begjika pas kësaj fitoreje minimale, e mbyll në vendin e parë në grupin G me 9 pikë, do të përballet me Japoninë në fazën e 1/8-ve më 2 korrik në orën 20:00, ndërkohë që Anglia do të sfidojë Kolumbinë më 3 korrik në orën 20:00.

Në ndeshjen tjetër të grupit, mes Panamasë dhe Tunizisë së eliminuar, afrikanët fituan 2-1 falë golave të Ben Youssef dhe Khazri, duke përmbysur avantazhin fillestar të amerikano-qendrorëve në pjesën e parë të arritur pas autogolit të Meriah.