Bashkim Dedja: Vettingu? Si të kalosh varrin për së gjalli

Një javë pasi kaloi ethet e vettingut, kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja vendosi të hapë dyert e t’u përgjigjet pyetjeve të medies mbi procesin.

Por, duke shmangur përvojën personale, sepse sipas tij për këtë gjë ka folur avokati, Bashkim Dedja mendon se mbi standardin e gjykimit të çdonjërit që provoi “dhëmbët e vettingut” do të flasë shkalla e dytë, që është Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Megjithatë, pyetjes mbi efektet e vettingut, Bashkim Dedja iu përgjigj:

“Ky ligj që është bërë, duke përfshirë Kushtetutën dhe ligjin për vettingun, është ndër më të ashprit e Europës, por ndoshta edhe më gjerë, për sa i përket kësaj fushe. Filtri që është vendosur e procedura që ndiqet e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë për t’u kaluar. Unë do të përdorja një shprehje: Të kalosh vettingun në Shqipëri me këtë ligj është si të kapërcesh varrin për së gjalli. Kjo është një gjë shumë e mirë, sepse njëherë e mirë ndahet elementi që ia ul vlerat kësaj reforme”, tha Bashkim Dedja.

Deri më tani kanë kaluar vettingun 9 persona, ndërsa 6 të tjerë kanë ngelur, shkruan tch.

“Për mua s’kanë rëndësi numrat. Nëse janë për të ikur, të ikin të tërë. Nëse janë për të qëndruar, të qëndrojnë të tërë. E rëndësishme është të respektohet ligji dhe Kushtetuta”, thotë ai.

Në këtë situatë, kur në Gjykatën Kushtetuese kanë ngelur vetëm 3 anëtarë, Bashkim Dedja bën apel për respektim të standardeve.

“E rëndësishme është që gjithkujt t’i bëhet një proces i rregullt dhe i drejtë, e të marrë gjithsecili atë që i takon”, tha Dedja.

Tani në Gjykatën Kushtetuese, i fundit që ka mbetur dhe po pret ftesën e vettingut është Gani Dizdari. T.CH