“Vrava dy hije, jo prindërit”, 26-vjeçari do të shtrohet në psikiatri

Vrasësi i prindërve, Qemal Sela do të shtrohet në psikiatri, pasi në deklaratën para togave të zeza ai u shpreh se: “Nuk kam vrarë prindërit, por dy hije që u ngjanin mamit e babait”.

Pikërisht kjo deklaratë e Selës, bëri që Gjykata e Krimeve të Rënda të vendosë shtrim të detyrueshëm në spitalin psikiatrik për 26-vjeçarin që vrau prindërit në Peshkopi të enjten e 7 qershorit.

Ne seancën për masën e sigurisë, i riu nuk ka pranuar të mbrohet në gjykatë me avokat, teksa ka shpërthyer në akuza: “Ju jeni gjykatë e korruptuar, nuk kam vrarë njeri”.

I riu ishte kthyer nga Anglia vetëm një natë para krimit. Burimet thonë se atë e kanë depertuar, ndërsa të tjerë shtojnë se 26-vjeçari Sela është trajtuar në Angli për sëmundje mendore.

Prindërit Flamur Sela dhe Zeqimete Sela, patën një debat me djalin e tyre mbi të ardhurat nga puna në Agli dhe për pronësinë e shtëpisë e kthyer në hotel pranë Llixhave në Peshkopi.

Ky dyshohet të jetë motivi i krimit, por as vëllai i autorit nuk është në gjendje ta thotë. Në dëshminë e tij në polici ai ka deklaruar se në kohën e ngjarjes nuk ka qenë në shtëpi. Motra 14-vjeçare nga ana tjetër po trajtohet me psikolog.

Fqinjët thonë se e njihnin shumë pak 26-vjeçarin që ishte larguar në Angli që në moshën 19-vjeçare.