Greqi-Maqedoni, “lufta” për emrin

Nga Marjana Doda –Të ripagëzohesh pas 2300 vjetësh. Kjo po ndodh sot me shek.XXI në Maqedoni, në vendin e Aleksandrit të Madh që bashkoi te gjitha viset e vendit te tij, në vendin e Pirros Epirit që sundoi në periudhën kur fqinjët e Epirit, Maqedonia dhe Greqia ndodheshin në kaos politik dhe ishin shkatërruar nga luftërat e gjata për territore.

Pas kaq vitesh të kohërave më të lashta, si dhe pas 27-vitesh të kohërave më moderne, Maqedonia është shëndërruar tashmë në arenë e luftës për identitetin, dhe për më shumë për emrin e saj. Pikërisht, në vendin më me histori, atëherë kur Perëndimi, dhe jo vetëm, kishin idhuj legjendat e saj, tashmë njërëzit e vegjël të kohëve moderne në Greqi e Maqedoni po veshin përkrenare të një lufte pa kuptim.

“Vota popullore do te jetë ajo që do orientojë Qeverinë se në cilën drejtim duhet të ecë, do shprehej k.min Zoran Zaev në njëvjetorin e ekzekutivit te tij. “Përpara se kjo të realizohet qytetarët duhet të dinë se cili është saktësisht qëndrimi i Qeverisë”.  Ai nuk bëri komente për parashtesa e prapashtesat që përmbanë propozimi i ri për emrin, sidomos tashmë në prag të zgjidhjes, pas 27 vitesh të vetos greke.

Nga Brukseli në Nju Jork po realizohen takim pas takimi se për cilin nga emrat, Republika e Maqedonisë Veriore, Republika e Maqedonisë Re, apo Republika e Maqedonisëse Epërme do te vendoset. Sëfundmi nga Qeveria maqedonase doli si më i përshtatshëm emri Republika e Ilindenit Maqedonisë, ku gjithçka lidhet me kryengritjen e zhvilluar më 2 gusht 1903 kundër Perandorisë Osmane, që sipas saj respekton  të gjitha aspektet për tu mbrojtur identiteti i popullit maqedonas dhe të gjitha pjesëve  të tjera që e përcaktojnë Maqedoninë si shtet multietnik.

Kjo kryengritje e zhvilluar në Ditën e Ilisë, prej nga ka mbetur emri Ilinden, është ditë e shenjtë në histori, ku Kongresi Revolucionar  Maqedonas i mbajtur në Selanik solli vendimin e kësaj kryengriteje që simbolizon solidarizimin dhe bashkëpunimin mes etnive. “Konsiderojmë se ky është propozimi për zgjidhjen përfundimtare”- do deklaronte zëdhënësi i Qeverisë maqedonase Mile Boshnjakovski pas takimëve të krerëve të diplomacisë të dy vendeve  në Nju Jork në fund të muajit Maj.

Por pala greke hodhi poshtë këtë propozim duke bërë me dije se do negociojë vetëm paketën me katër emrat nga propozimi i Sekretarit  të Përgjithshëm  të Kombeve të Bashkuara Methju Nimic. Pas takimeve në Nju Jork kreu i diplomacisë greke Kotcias tha se nga vizita e tij në SHBA, administrata amerikane nuk bëri presion, por po interesohet për zgjidhje në drejtim të sëcilës po  çojnë negociatat. Pas takimeve në administratën amerikane si dhe me Sekretarin Majk Pompei, Kotcias do shprehej se:” Asnjëherë nuk do lejojmë të na shtypin, por po interesohen më shumë per zgjidhje dhe tentojnë te kuptojnë se ku ndodhen negociatat dhe cilat janë pikat e vështira”. Inkurajimi erdhi dhe nga zv/Ndihmës Sekretari Shtetit Methju Palmer i cili në takimin me k.min Zaev riafirmoi mbështetjen e Uashingtonit ndaj proçeseve që po realizohet nga Qeveria e tij për integrimin në NATO e BE.

Por si për ti hedhur me shumë benzinë zjarrit del në skenë dhe propozimi i Bullgarisë për emrin “Bullgaria Jugperëndimore”, ku historiani Bozhidar Dimitrov  e përcakton në bazë të tezave historike. Sipas tij, Maqedonia në një pjesëve të saj njihej si Peoni, pastaj  Iliri, ku ka jetuar populli antik ilir, ndërsa pas krijimit te shtetit Bullgar vendet e territorit të tanishëm të Maqedonisë, në vitin 861 njihej si Bullgaria e Danubit.

Ministri Jashtëm Maqedonas Nikolla Dimitrov në një deklaratë dhënë agjensisë greke ANA- MPA, më 28 Maj pas takimit me ministrat e Jashtëm të BE dhe me homologun grek për zhvillimin e negociatave,  shpreson se deri në Samitin e 28 Qershorit  përpjekjet po bëhen në nivel bilaterale për gjetjen e zgjidhjes se cështjes së emrit, si dhe per atë se sa do të ishte me rëndësi  zgjidhje e kësaj çështeje për gjithë rajonin e Ballkanit.

Negociatat po gjejnë mbështetjen dhe nga liderë e qeveri potenciale të zhvillimeve evropiane. Kancelarja gjermane Merkel ka inkurajuar dy kryeminsitrat Zaev e Tcipras për zhvillimin e dialogut, ndërsa zëdhënësi Qeverisë Franceze Anjes fan der Mill do deklaronte se:” Franca inkurajon gjithashtu autoritetet e dy shteteve te ruajnë vendosmërinë për arritjen e marrëveshjes se shumëpritur. Kjo është në interes të dy vendeve, rajonit dhe Evropës”.

Megjithë këto zhvillime pozitive dhe luftës mes dy vendeve, në politikat e brendëshme të  vetë Maqedonisë e Greqisë nuk ka dakordësi. Kështu, presidenti Maqedonas Gjeorge Ivanov e ka kritikuar Qeverinë për mungesën e transparencës për rrjedhën e deritanishme të bisedimeve mbi marrëveshjen e mundëshme. Ndërsa ish k.min Gruevski me masë arresti si dhe konservatorët maqedonas, nxitojnë për ti penguar apo duke i konsideruar politikat e Zaev si antikushtetuese dhe se negociatat me Greqinë kanë shkelur interesat kombëtare. Veç kësaj, më 02.06.2018 partia opozitare  VMRO- DPMNE organizojë një tubim para ndërtesës sa Qeverisë kundër politikave të Zaev. Kreu i opozitës Cristian Mickovski kërkoi zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe se për çështjen e emrit tha se, ” Nuk do të pranojë ndryshime të kushtetutës”. Lidhur me këto zhvillime Zaev ndihet optimist dhe do deklaronte se :” Nëse ndonjëherë Ballkani Perendimor ka qenë i vendosur për të ardhmen e përbashkët, ajo është tani.Është një moment shumë i rëndësishëm . I dimë nevojat e njëri- tjetrit dhe Evropa është një”- do deklaronte ai.

Në kampin grek nuk ka dakordësi.Kreu i partisë “Grekët e Pavarur”, Panos Kamenos, pjesë e koalicionit me k.min. Aleksis Tsipras me detyrën e ministrit Mbrojtjes është për mbajtjen një referndumi dhe se si president i grekeve të pavarur  ” kurrë nuk do ta pranojë termin grek ” Maqedoni”, në asnjë vendim … por do të duhet një referendum ku populli grek duhet të vendosë”-  është shprehur Kamenos.

Nga  ana e opozites greke ,ditë më parë u paralajmerua  për zhvillimin e protestave më të mëdha në 13 qytete në territorin e Provincës greke të Maqedonisë, që gjendet në kufi me vendin e Ballkanit me dt 6 qershor . Madje   mendohej se opozita do të rrezonte dhe qeverine Tcipras ,por kjo proteste dështoi duke afruar një numër shume të vogël protestuesish .

Me dështimin e saj nënkuptohet një dritë në fund të tunelit ,duke pranuar kështu një marreveshje përfundimtare mes Greqise dhe Maqedonise ,e cila pas pak muajsh pritet të njihet zyrtarisht si “Republika e Maqedonisë Veriore”.

Më 28-29 Qershor  Maqedonisë do ti jepet data për fillimin e negociatave për anëtarësimin  për në BE si dhe pritet të marrë ftesën për tu bashkuar në NATO në Samitin e Brukselit që do mbahet më 11-12 Korrik, ndaj tashmë marreveshja  për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë nuk jatë më thjesht një imazh antikiteti, por një aspiratë euro-atlantike.

Suksesi ose deshtimi i kesaj marreveshje do te sjell  prosperitet, ose destabilitet që mund të prekë gjithë Evropën Juglindore. Në rast se ndodh kjo e fundit, mbi të gjitha do te vuajë populli i Maqedonisë sepse “matrapazpolitika” po  luan me fatet e tij. Nuk ka rëndësi nëse Maqedonia është shndërruar tashmë si një “kalë tregu”(për në BE), si një “kalë lufte”( për në NATO), apo si ” kali i lakmuar i Lindjes”( për Rusinë), porse ajo duhet të jetë si Maqedonia e Aleksandrit të Madh ku të jenë të bashkuar të gjitha etnitë, maqedonas, grekë, shqiptarë, turq, romë, etj. për të udhëtuar të sigurt sëbashku drejt  një bote të qytetëruar. Një Maqedoni multietnike, multikulturore, e stabilizuar dhe e zhvilluar do të ishte ylli I ri  në panteonin e Evropës Bashkuar.