Pas dritës jeshile nga Senati, sot votëbesimi i qeverisë Conte në dhomën e deputetëve

Pas marrjes së votëbesimit një ditë më parë në dhomën e Senatit, qeveria italiane e Giuseppe Contes pritet të marrë sot votëbesimin në Dhomën e deputetëve.

Impenjimi i parë ndërkombëtar për kryeminsitrin Conte është përfaqësimi i Italisë në samitin e G7 që do të mbahet këtë të premte në Kanada.

“Duhet të na respektojnë”, ka deklaruar kreu i ekzekutivit italian në prag të këtij Samiti.  Senati ka votuar dje qeverinë italiane me 171 pro, 117 kundër. Përpara votëbesimit në Senat, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, ka shpalosur programin e tij përpara ligjvënësve duke e vene theksin tek reformimi i ekonomisë dhe tek kontrolli i emigracionit.

Lideri i koalicionit që përbëhet nga Lëvizja Pesë Yjet dhe Lidhja u shpreh se Roma zyrtare do të vijojë t’i qëndrojë besnike parimeve eutoatlantike, duke mbetur e angazhuar në struktura si NATO dhe BE-ja, por do të fokusohet gjithashtu edhe në mbrojtjen e interesave të qytetarëve italianë.

Gjithësesi, ashtu sikurse pritej, qeveria e re mund të ketë një qasje më të afërt me Rusinë.

Ketë e bëri të qartë edhe Conte kur u shpreh se kabineti i drejtuar prej tij do të mbështesë hapjen në raport me Kremlinin.

Sa i përket ekonomisë, ekspertët presin një qasje disi më spektike kundrejt direktivave të Bashkimit Europian.