Ruçi pret Hahn: Integrimi në BE, kushte të qarta

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi u takua me deputetin e Bundestagut gjerman Florian Hahn, zëdhënës i grupit parlamentar CDU/CSU për çështje të politikave europiane. Gjatë takimit Ruçi e falenderoi deputetin Hahn për mbështetjen e madhe e të veçantë të qeverisë dhe Bundestagut të Gjermanisë, posaçërisht Kancerales Merkel për Shqipërinë dhe progresin e vendit tonë drejt integrimit europian.

”Ne i jemi thellësisht mirënjohës Kancelares Merkel për vizionin e saj largpamës dhe mbështetjen e pakursyer për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor, edhe si nismëtare e Procesit të Berlinit. Rekomandimi i Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian në muajin qershor ishte një vlerësim për arritjet e Shqipërisë në plotësimin e pesë prioriteteve si edhe standarteve të tjera të integrimit europian. Ky vendim u mirëprit nga qeveria, Kuvendi i Shqipërisë, por në mënyrë të veçantë nga populli shqiptar”, nënvizoi Ruçi.

Deputeti Hahn nënvizoi se vendimi për çeljen e negociatave në mbledhjen e qershorit të Këshillit Europian, i shoqëruar nga kushte të qarta, është vendimi i duhur që duhet të merret për Shqipërinë.

”Kjo do të lehtësonte punën dhe përpjekjet e qeverisë së Shqipërisë për integrimin europian dhe progresin e vendit. Kjo do të ndihmojë që populli shqiptar të marrë një sinjal të qartë pozitiv për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Për këtë ne synojmë të kemi edhe mbështetjen e popullit gjerman dhe të popujve të tjerë europianë, Ky është vlerësimi im dhe i grupimit politik që përfaqësoj për çeljen e negociatave më Shqipërinë”, nënvizoi Hahn.