Rezoluta për integrimin, Pollo: Furçe e bojëra për fytyrën e qeverisë

Kryetari i Komisionit të Integrimit, deputeti i PD-së Genc Pollo, ka reaguar për rezolutën e qeverisë shqiptare, dhe ka rrëzuar akuzat e kryeministrit Edi Rama se ishte PD-ja ajo që po pengonte me qëllim çeljen e negociatave në qershor.

Rezoluta për integrimin europian që u miratua në Kuvend nga maxhoranca, për Pollon është tekst ”plot furçe dhe bojëra për makiazhin e fytyrës së qeverisë”.

”Nëse qeveria dhe Edi Rama do të donte një Rezolutë konsensuale atëherë do të lejonte që teksti i Partisë Socialiste normalisht, siç është vepruar gjithmonë, të shqyrtohej në Komisionin e Integrimit Europian. Madje edhe në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian dy organe përgjegjëse të Kuvendit, për raportet me Bashkimin Europian dhe kështu ëshgtë vepruar gjithmonë përmes diskutimeve, kompromiseve, është arritur pothuajse gjithmonë një tekst i përbashkët i cili është votuar konsensualisht”, tha Pollo.