Vettingu në Polici ende s’ka nisur, pritet Komisioni i Jashtëm

Pavarësisht se që prej datës 7 maj policët kanë dorëzuar formularët për Vettingun, ende procesi nuk ka nisur. Ministria e Brendshme bën me dije se aktualisht po ngrihet Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit dhe sekretariati teknik.

Kjo do të thotë se ende nuk ka nisur shqyrtimi i formularëve as për drejtuesit e policisë dhe as për oficerët e thjeshtë. Pritet që deri në datën 7 qershor të ngrihet Komisioni i Jashtëm dhe më pas do të fillojë faza e parë e Vetingut në Polici.

Kjo fazë ka për qëllim që të kontrollojë 300 drejtuesit aktual të Policisë, duke filluar nga Drejtori i Përgjithshëm Ardi Veliu.

300 drejtuesit e Policisë do të kalojnë në sitë për sa I përket pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale. Një pjesë e këtyre punonjësve mund të merren në pyetje nga Komisioni I Jashtëm I Vlerësimit.

Pas vetingut të 300 drejtuesve aktual, më pas do të nisë faza e dytë, ajo e kontrollit të rreth 2500 punonjësve me grada në radhët e Uniformave Blu.

Faza e tretë konsiston me kalimin në veting të të gjithë punonjësve të thjeshtë të Policisë, përfshirë punonjësit e Gardës dhe ata të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave.

Vetingu në Polici pritet të zgjasë 2 vite dhe sipas Ministrisë së Brendshme synon largimin e oficerëve që nuk justifikojnë pasurinë apo që kanë lidhje me krimin. Më shumë se 9 mijë polic janë pyetur nëse janë takuar ndonjëherë me anëtarë të grupeve kriminale apo ndonjë prej familjarëve të tyre ka pasur ose jo lidhje me bandat kriminale.