Takaj: Titulli i merituar, tani të fitojmë betejën edhe në CAS

Presidenti Ardian Takaj ka folur pas festës së titullit të 8-të të fituar në Kategorinë Superiore

“Titulli është gjithmonë një kënaqësi e madhe dhe sjell emocione. Është e vërtetë që këtë vit jemi përballur me shumë emocione pozitive, por edhe negative, që gjithsesi kemi ditur t’i menaxhojmë mirë. Që në momentin kur kaluam disa raunde për t’u kualifikuar në grupet e Europa Leagues. Pasi eliminuam Dinamon e Zagrebit, kuptuam se jemi shumë të fortë dhe titulli do të ishte i yni.

Është e vërtetë që konkurrentët tanë nuk ishin në lartësinë e duhur, pasi kaluan probleme të caktuara, por ajo që bëmë ne, ishte vërtetë për t’u mbajtur mend. E ardhmja? Ne kemi një projekt për të mos fituar spontanisht, por për të qenë të organizuar dhe për të qenë gjithmonë aty, duke luftuar për titullin kampion dhe për të shkuar sa më larg në Europë.

Tirana dhe Vllaznia? Keqardhje shumë e madhe për të dyja, por ky ka qenë verdikti i kampionatit. Kamza ka merituar të qëndrojë në Superiore dhe ia doli. Vllaznia nga ana tjetër, pati probleme dhe nuk e nxori askush jashtë, pro impenjimi dhe organizimi i vet. Ka keqardhje sepse kemi të bëjmë me ekipe me traditë të madhe në kampionatin shqiptar, por kampionati është i pamëshirshëm dhe të gjithë do marrin atë që kanë dhënë.

Vëmendja kryesore e jona është te CAS-i tashmë. Kemi përgatitur dosjen dhe nesër e bëjmë dorëzimin pranë atij organi. Kërkesa e parë është për pezullimin e vendimit, deri në momentin që CAS të gjykojë çështjen, gjë që merr shumë kohë. Besojmë se do të luajmë në Europë, pasi po gjykohemi për histori të vjetra”, ka thënë Takaj.