Privatizohet rëra e Durrësit, 80 % e plazheve private, 20 % pa pagesë për pushuesit

Edhe për këtë sezon turistik, 80 % e plazhit të Durrësit do të jetë nën menaxhimin e privatëve dhe me pagesë për pushuesit, ndërsa 20 % do të jetë e lirë. Bashkia e Durrësit ka vendosur këtë balancë në menaxhimin e plazheve, ndërsa Drejtori i Tatim Taksave, thotë se operatorët privatë do të detyrohen të garantojnë sigurinë dhe pastërtinë.

Raporti i plazheve publike dhe atyre private në bregdetin e Durrësit, nuk do të ndryshojë as për këtë vit.  80 % do të jetë nën menaxhimin e privatëve dhe 20 % do të jetë pa pagesë për pushuesit. Por këta të fundit do të kenë hapësirë për çadra pa pagesë edhe në parcelat private.

“Përveç raportit ku 80% janë plazhet private dhe 20% janë plazhet publike, është lënë dhe mundësia e dytë që në parcelimin që bëjmë 20 me 10 shfrytëzimin e vijës së ujit e bëjnë subjektet që kanë paguar dhe pagujanë shërbim. Dhe pjesa tjetër, deri afër objekteve të shfrytëzohet nga popullsia.” – u shpreh Luan Dajko.

Drejtori i Tatim Taksave në Bashkinë Durrës, Luan Dajko në një intervistë për Ora News thotë se operatorët privatë janë të detyruar të përmbushin të detyrimet për sigurinë dhe pastërtinë në plazh

“Dhe për pastërtinë, plehrat, kushtet e ujit, për mbarëvjetjen e subjekteve” – tha Dajko

Bashkia e Durrësit nuk e ka çelur zyrtarisht sezonin turistik veror për vitin 2018 por vija bregdetare prej ditësh ka nisur të popullohet nga pushues vendas e të huaj. Pritet që këtë sezon veror të ketë një bum të pushuesve nga vendit nordike dhe Europa lindore, të cilët prej dy tre vitesh e kanë kthyer Durrësin në destinacionin kryesor të pushimeve.

/Ora News