Trump u tërhoq nga marrëveshja me Iranin, Erdogan mesazh të fortë SHBA: Do jeni humbës

Presidenti Donald Trump njoftoi se Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin e realizuar nga administrata Obama.

Pas këtij njoftimi ka reaguar presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, i cili u shpreh, “Humbës do të jetë Amerika meqë nuk i përmbahet një marrëveshjeje të arritur”.

Në intervistën për CNN International, Erdoğan ka folur për vendimin e presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për tërheqjen nga marrëveshja bërthamore me Iranin. Presidenti turk theksoi se me anë të marrëveshjes negativiteti i cili ka vazhduar me vite në lidhje me këtë temë është shndërruar në një situatë pozitive dhe ka rritur shpresa”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Tani, zhvillimi i kësaj në drejtim të kundërt do të ndikojë jo vetëm mbi rajonin por edhe ndaj ekonomisë në gjithë botën dhe gjithashtu edhe ndaj Turqisë”, ka thënë Erdoğan.

Ai tërhoqi vëmendjen se edhe nëse SHBA-të do të përfitojnë nga kjo situatë, shumë shtete do të shqetësohen dhe do të pësojnë goditje të mëdha. “Pse t’u hapim rrugë krizave të reja?”, tha ai.

“Humbës do të jetë Amerika meqë nuk i përmbahet një marrëveshjeje të arritur”, tha presidenti Erdoğan në pyetjen për rreziqet që mund të shkaktojë kjo gjendje.