Bulqizë, shembet galeria, aksidentohet një minator

Një tjetër aksident ka ndodhur në minierat e pellgut krommbajtës të Bulqizës, ku për pasojë është plagosur në gjendje të rëndë një minator.

Mësohet se aksidenti i rëndë ka ndodhur në një nga galeritë private në zonën e Martaneshit.Sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se minatori i plagosur është Besnik Palamani, 48 vjeç, i cili teksa punonte në galeri si vagonist, është goditur në kokë nga një masiv shkëmbor i shkëputur nga tavani i galerisë.

I aksidentuari është pikasur nga minatorët e tjerë që punonin në këtë galeri dhe është nxjerrë jashtë saj, ku është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Bulqizës.

Burime nga Spitali i Bulqizës, bëjnë me dije se i aksidentuari kishte marrë plagë të rënda në trup, kryesisht në pjesën e kokës. Mungesa e mjekëve specialistë në këtë spital i ka detyruar mjekët që 48-vjeçarin e plagosur ta dërgojnë pranë Spitalit të Traumës, në Tiranë, për të marrë një mjekim me të specializuar mjekësor. Ndërkohë edhe burime nga policia, konfirmojnë ngjarjen e rëndë të plagosjes së 48-vjeçarit, ku dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj.