Ish-ministri i Brendshëm kujton letrën e 2005-s: Si na luti Berisha që të vinte në pushtet!

Zhvillimet e reja në Partinë Demokratike kanë ngjallur edhe reagimet e atyre figurave që kanë qenë vite më parë pjesë e saj. Nisur nga një koment në adresë të tij në rrjetin social “Facebook”, Bashkim Kopliku, ish-ministri i Brendshëm në qeverinë e Aleksandër Meksit, ka reaguar edhe sa i takon largimit të tij nga PD.

Teksa komenton zhvillimet e reja në PD, nuk kursen akuzat në adresë të ish-kryeministrit dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. Ai sjell në vëmendje kërkesën e vitit 2005 ndaj tyre.

“Nuk u ktheva më tek PB, as në vitin 2005, kur “ne, karrige thyerve”, na luti pështirshëm zoti Berisha, që të vinte në pushtet së bashku me të. Ai erdhi në pushtet, së bashku me shumë ish-“karrige-thyer”, duke blerë zgjedhjet e vitit 2005, duke paguar zgjedhësit pushtues të tokave, me premtimin e faljes së tokës së pushtuar, që natyrisht ishte tokë e shtetit, pra pronë e të gjithë popullit shqiptar”- shkruan ai ne nje shenim ne faqen e tij ne Facebook.

POSTIMI I PLOTE I BASHKIM KOPLIKUT

Pas Kuvendit të 29 prill 2018, të PD, ka zhvillime të reja, shkëputje nga PD të disa personaliteteve të saj, prandaj sqarimi im në vijim, lidhet indirekt edhe me ata…historia përsëritet…

Një mik në facebook , zoti K., shkroi sa vijon:

“Zoti Bashkim, që nga koha kur ishe ministër i brendshëm u zhduke për shumë kohe, tani ke dale prapë në skene, tu mbaruan paret??. Punë pazaresh hesapi”

Të nderuar miq në fb, bëj pjesë tek ajo pjesë e politikanëve që nuk përtoj, apo nuk neglizhoj t’ u përgjigjet akuzave publike, po publikisht. Natyrisht akuza e ka origjinën nga kuzhina e PB, partia e Berishës, apo e Bashës. Në vijim, po postoj përgjigjen time:

Z. K., e keni bërë pis facebookun me shpifjet tuaja, e tani më duhet ta pastroj, në respekt të miqve të nderuar të fb. Në vijim po pastroj me radhë të tri pisllëqet e tua:

1–Shpifni ju z. K, kur shkruani se “u zhduka”, që nga koha kur isha ministër i brendshëm”.
Faktet janë të njohura botërisht, dhe zyrtarisht: në prill të 1993, kam kaluar nga funksioni i zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Rendit Publik (i brendshmi), në funksionin e zëvendëskryeministrit që mbulonte reformën ekonomike, dhe kam vazhduar të jem në funksionet më të larta të shtetit dhe partisë deri në prill 1997; kur isha edhe deputet edhe kryetar i Komisionit parlamentar të ekonomisë, edhe etj., kur papritmas u përjashtova nga kryesia e PD, me një votim të paligjshëm. Votimi ishte krejt i paligjshëm, sepse për përjashtimin tim votoi kryesia e PD, e cila nuk kishte kurrfarë të drejte të votonte, pasi organi që mund të votonte për shkarkimin e një anëtari të Kryesisë së PD, ishte Këshilli Kombëtar, dhe jo ajo: nuk ishin shpikur akoma në PD, ato ngrirjet etj. që u futën në Statut më vonë. Natyrisht që nuk ka asnjë vlerë as justifikim i kolegëve të mi, se “i urdhëroi anëtari i kryesisë, presidenti i Republikës, Sali Berisha”, nuk kanë të drejtë as ata që votuan që unë të mos përjashtohesha–ata duhet thjeshtë të mos pranonin të votohesh, të zbatonin ligjin, statutin, e justifikimi i tyre veçse i ngarkonte dhe më tepër me faj.

Përjashtimi im ishte i kundërligjshëm, në shkelje të çdo lloj neni e principi të Statutit të PD. Iu drejtova PD, por edhe popullit, por shokët e mi të PD, por edhe populli, nuk u ngritën të vinin në vend padrejtësinë, shkeljen e ligjit. Si rezultat, u binda përfundimisht se PD e 1991, kishte vdekur, dhe ishte zëvendësuar me PB (partia e Berishës, një parti neokomuniste), por u binda edhe se populli im kishte mbetur po ai që kishte duruar Enver Hoxhën për 45 vjet me radhë.

Nuk u ktheva më tek PB, as në vitin 2005, kur “ne, karrige thyerve”, na luti pështirshëm zoti Berisha, që të vinte në pushtet së bashku me të. Ai erdhi në pushtet, së bashku me shumë ish-“karrige-thyer”, duke blerë zgjedhjet e vitit 2005, duke paguar zgjedhësit pushtues të tokave, me premtimin e faljes së tokës së pushtuar, që natyrisht ishte tokë e shtetit, pra pronë e të gjithë popullit shqiptar. Pushtuesit e tokave ishin rreth “një e treta e popullit shqiptar”, dhe ata votuan për PB, pavarësisht se shumica e tyre nuk ishin fare me PB, siç e treguan në votimet e 2013. Nejse, duhet kuptuar mirë se blerja e votave për të ardhur në pushtet e PB, është një nga turpet e mëdha që bëri populli ynë, që shiti votën e tij për të paguar vetëm me “4000 lekë” për parcelë toke, kur parcela kushtonte me miliona lekë. PB e hapi rrugën e blerjes masive te votave, me premtimin për legalizim. Por sa erdhi në fuqi, PB nuk e mbajti as fjalën e dhënë: ua zvarriti pafund legalizimin, vetëm e vetëm që t’i mbante të lidhur pas vetes, që t’i kishte votues “të sigurtë” për jetë, siç e bënte me ish të përndjekurit e ish pronarët e tokave. Por ja që PS-ja, mësoi nga PB, u bë edhe ajo “praktike”, dhe u bëri të njëjtin premtim “pushtuesve të tokave”, bile duke duke u premtuar që mos tua marrë fare as ata “4000 lekë” për parcelë, si dhe se nuk do t’i mbante peng me zvarritje e me rrena për vite me radhë, si i mbajti PB për 8 vjet. Përfundimi dihet tashmë: fitoi PS duke e fundosur përfundimisht PB.

2–Shpifni ju z. K, kur shkruani: ” u zhduke për shume kohe, tani ke dale prape në skene.”
Jo, ka fakte, dëshmitarë që nuk kanë humbur kujtesën, gazeta e regjistrime televizive pa fund, që vërtetojnë se edhe jashtë radhëve të PB, nuk u zhduka, por kam qenë aktiv në masmedia, me mbi 700 shkrime në gazetat më të mëdha të vendit dhe me biseda në studio, gjithë kohën që PB ishte në pushtet, por kjo deri sa PB u bë aleate me LSI, në 2008. Në këtë moment, hoqa dorë nga shkrimet publike intensive, se u deziluzionova rëndshëm, tashmë nga pjesa më e madhe e populli shqiptar, pjesa që rezultoi se me hipokrizi mbahesh kot si e djathtë. Ishte ajo së cilës i drejtohesha në radhë të parë, gjoja E Djathta, me shkrimet e fjalët e mia. Por ata aprovuan koalicionin me LSI, që ç’ nuk bënte kundër së Djathtës në përgjithësi, por edhe kundër PB në veçanti, sulme nga pozita të majta hipokrite. Rezultoi se shumica e popullit gjoja të djathë, shiti principet e veta, vetëm e vetëm për të ndenjur në pushtet. U indinjova tashti më shumë me popullin gjoja të djathtë, se sa me “militantet e PB” që tashmë e dija sa u vlente lëkura, që në 1997…
Nejse, kam shkruar e folur gjatë për këtë blerjen e votave të PB, dhe koalicionet e ndyra “pragmatiste” të PB.

3– Shpifni ju z. K. kur shkruani: “tani ke dale prapë në skene,, tu mbaruan paret??
Fatmirësisht shteti, ne ish-funksionarëve të tij, na ka siguruar një pension relativisht të mirë: marr pension rreth 1 milion e 300 mijë lekë të vjetra në muaj. Me këtë pension mund të jetoj pa iu lutur njeriu për bukën e gojës, por edhe duke më lejuar të ruaj dinjitetin si ish drejtues i këtij populli shqiptar, që vazhdoj ta dua megjithëse ia njoh mirë të metat e mëdha që ka, vazhdoj të përpiqem vazhdimisht, edhe këtu në fb, t’i tregoj popullit tim, shqiptarëve, rrugën e shërimit, që është ecja drejtë bashkimit me popujt sivëllezër të BE.
Nuk i kam marrë asnjë personi as një lek korruptiv.

Nuk e di kush jeni ju z. K., por edhe po ta dija, nuk do t’jua ktheja shpifjeve e pisllëqeve që keni shkruar, me sharje për shpagim (hakmarrje), siç bëhet fatkeqësisht rëndom mes nesh shqiptarëve.

/BW