Ikin gjyqtarët nga KPK

KPK ose Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po vazhdon spastrimin e drejtësisë. “Kushdo që e ndjen veten të papërshtashëm le të japë dorëheqjen. Dorëheqja është individuale, nuk është kolektive”, deklaronte të shtunën Gerd Hoxha, kreu i Unionit të Gjyqtarëve.

Por, dorëheqjet që përfliteshin korridoreve të gjykatave duket se nga një thashethem po kthehen në realitet.

Dy gjyqtare kanë dorëzuar kërkesën për të lënë sistemin e drejtësisë, ndërkohë që një e tretë kërkon t’i deklarohet dalja në pension për shkak të moshës.

Në kërkesën që Top Channel disponon dhe që është dorëzuar pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dorëheqjet janë depozituar nga Brunilda Kasmi, gjyqtare në Gjykatën Civile Tiranë, Merita Xhani, gjyqtare në Gjykatën e Durrësit dhe gjyqtarja e Gjykatës së Krujës, Nazmie Pengili, e cila thotë se i ka përfunduar mandati i magjistrates në datën 10 prill, e për këtë duhet të lërë sistemin.

Por, për gjyqtaren Pengili, e përfolur edhe herë tjetër në KLD i është refuzuar edhe një herë kërkesa për deklarim mandati si gjyqtar, pasi mungon parashikimi ligjor.

Top Channel kontaktoi me Brunilda Kasmin, e cila është gjithashtu edhe kandidate për në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe mes njerëzve të drejtësisë që janë në listën prioritare për t’iu nënshtruar vettingut.

“Për arsye shëndetësore. Sëmundja nuk të pyet. Dua të sqaroj se unë nuk kam patur probleme me pasurinë”, thotë gjyqtarja.

Pas Besim Trezhnjevës, i shkarkuar ngaKPK, Kasmi është gjyqtarja e dytë që ikën nga radhët e KLGJ, çka do të thotë se tashmë duhet të rihapet thirrja për institucionin e ri, që do të qeverisë gjyqësorin.

Ndërkohë, edhe gjyqtarja Merita Xhani tregoi se problemet shëndetësore e pengojnë të vazhdojë udhëtimin në gjyqësor.

“Jam semurë. Nuk ka lidhje me vettingun. Vuaj nga zemra dhe kam dy vite që kam dalë në KEMP”, deklaron ajo.

Përveç këtyre kërkesave KLD do të shqyrtojë edhe kërkesën e ministres së Drejtësisë për shkarkimin e katër gjyqtarëve Petraq Curri, Ergys Selmani, Ahmet Jangulli dhe Ken Dhima dhe paralajmërim për Laurent Fuçinë.

Menjëherë me hyrjen në fuqi të ligjit të vettingut, viti 2017 pati gjashtë dorëheqje, që nga gjyqtarja e lartë Mirela Fana, dy për arsye pensioni dhe deri tek gjyqtari kushtetues, Besnik Imeraj.

Ndërkohë, e hena ishte sërish një ditë vettingu në Pallatin e Kongreseve.

Prokurorja e radhës, që doli para KPK ishte Fatjona Memçaj, e cila sipas të treja raporteve rezulton pa probleme me pasuritë dhe me figurë të pastër.

Në datën 3 maj parashikohet që KPK të japë kartonin jeshil për magjistraten Memçaj, e cila është gjithashtu anëtare e KED.